Ndërlidhjet

LDK-JA KONTESTON EMRIN E PARTISЁ SЁ NEXHAT DACIT


Albana Isufi

Subjekti më i ri politik në Kosovë, Lidhja Demokratike, nuk është regjistruar ende në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, përderisa përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tashmë kanë reaguar se kjo parti nuk mund ta bartë këtë emër për shkak të ngjashmërisë me emrin e partisë së tyre.
Sipas rregullores së Misionit të Kombeve të Bashkuara 2004/11 mbi regjistrimin dhe veprimin e partive politike, dy parti me të njëjtin emër apo edhe me ngjashmëri mes emrave nuk mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ramë Manaj, thotë se në Kosovë ekziston vetëm një Lidhje Demokratike e Kosovës dhe nuk mund të ketë parti tjetër me të njëjtin emër.
“Logjikisht, objektivisht, realisht nuk mund të jenë dy Lidhje Demokratike në Kosovë. Emri në Kosovë përcakton hapësirën, kjo parti është në Kosovë dhe u përmend apo s’u përmend dihet se është LDK, nëse do të mund të arrinte të regjistrohej. Por, them me besim të plotë se nuk ka mundësi të regjistrohen dy subjekte me të njëjtin emër”, thotë Manaj.
Por, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike Lulzim Zeneli, konsideron se emri dhe akronimi i subjektit të ri politik nuk bie ndesh me rregulloren 2004/11, mbi regjistrimin e partive politike.
“Në bazë të emrit dallon dukshëm, po them dukshëm për faktin se nëse mendohet se duhet të ketë përmbajtje tjetër, ata që mendojnë ashtu e kanë gabim. LD-ja ka dalë nga një strukturë, që dje ka qenë në kuadër të një subjekti tjetër politik, ajo identifikohet me një koncept politik, për disa vite anëtarësia e LD-së ka qenë bartëse e një projekti të caktuar dhe është normale që të ketë nuanca, por esencialisht dallon në bazë të emrit, sikur që dallon edhe në bazë të konceptit”, thotë Zeneli. Por, Manaj konsideron se Lidhja Demokratike e kryesuar nga ish-kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci synon të jetë trashëguese e LDK-së së udhëhequr nga presidenti i ndjerë Ibarhim Rugova, gjë që sipas tij nuk ka bazë legale ta bëjë.
“Trashëgimtare e LDK-së kur LDK-ja ekziston nuk mund të jetë askush. Në anën tjetër nuk mund të ketë rikrijim të një partie e cila ekziston, është funksionale, që ka legjitimitetin e plotë dhe stabilitetin e plotë. Kështu që janë interpretime krejt të njëanshme, subjektive dhe të paqëndrueshme sa i përket “trashëgimisë” së LDK-së nga LD-ja e ardhshme, nëse ajo do të regjistrohet me këtë emër, për çka unë dyshoj shumë”, thotë Manaj.
Zyrtarë të OSBE-së, nuk kanë marrë ende kërkesën për regjistrim të partisë së re, por ata thonë se nëse ka mospajtime ndaj emrit, e drejta e bartjes së emrit i takon partisë së regjistruar më herët.
“OSBE-ja nuk ka pranuar ende materialin për regjistrim të ndonjë partie politike dhe nuk mund të vlerësojmë se çfarë ka bërë partia, cili është emri i saj, derisa të marrim materialin. Ne këtë po presim, pasi që vetë partia duhet të ketë bazë ligjore, identitet legal dhe kjo është me e rëndësishmja për një parti”, thotë Sven Lindholm.
Zeneli nga Lidhja Demokratike, thotë se së shpejti do t’u nënshtrohen procedurave ligjore për regjistrim. Ai është i bindur se emri nuk do të shkaktojë problem.
”Ne do të shkojmë në bazë të asaj rregulloreje dhe nuk do të shkaktohet konfuzion, me faktin se edhe emri edhe akronimi dallon”, thotë Lulzim Zeneli. Ndërkaq, Sven Lindholm, nga OSBE-ja thotë se “tash është një parti e regjistruar si LDK dhe kjo parti me këtë emër do të ketë prioritet ndaj ndonjë aplikacioni të ri”.
Zyra e OSBE-së për regjistrimin e partive politike sipas rregullores së UNMIK-ut 2004/11 vendos për të drejtën e bartjes së emrit duke u bazuar në datën kur secila parti e ka dorëzuar kërkesën, datën kur secila parti e ka përdorur së pari emrin ose simbolin e saj dhe karakterin dhe shtrirjen e përdorimit të tillë.
Lidhja Demokratike e formuar të premtën e kaluar, përbëhet nga krahu politik i Nexhat Dacit, i cili u nda i pakënaqur nga Kuvendi i Gjashtë Zgjedhor i LDK-së. Në këtë Kuvend, Nexhat Daci humbi garën për kryetar partie, përderisa përkrahësit e tij nuk u përfshinë pothuajse fare në listën e Këshillit të Përgjithshëm.
XS
SM
MD
LG