Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT KOSOVARË NË PRITJE TË PROPOZIMIT TË AHTISAARIT


Zijadin Gashi


NATO-ja dhe institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë që të ndodhin befasi në Kosovë në këtë fazë vendimtare të vendimit për statusin e saj, ka pohuar sot kryeministri i Kosovës, Agim Çeku. Ai tha se pavarësisht kërcënimeve që mund të vijnë, qoftë nga pjesa veriore apo një pjesë tjetër e Kosovës, NATO-ja është këtu që së bashku me institucionet dhe organet vendore të garantojnë paqen dhe sigurinë për të gjithë. Këto komente, Çeku i bëri para takimit me një delegacion të lartë të NATO-s, me në krye komandantin suprem, gjeneralin amerikan, John Craddock dhe komandantin e forcave amerikane në Evropë, admiralin Henry Ulrich.
“Ne në vazhdimësi jemi duke përcjellë situatën në bashkëpunim të afërt me KFOR-in, Policinë e UNMIK-ut, Shërbimin Policor të Kosovës dhe mendoj se nuk do të lejojmë befasi dhe forcat e sigurisë në Kosovë, vendore e ndërkombëtare, do të garantojnë siguri të plotë”, tha Çeku.
Gjatë kësaj vizite njëditëshe, komandanti suprem i NATO-s, gjenerali amerikan John Craddock, dhe komandanti i forcave amerikane në Evropë, admirali Henry Ulrich, nuk janë prononcuar për media. Ndërkaq, në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se kryeministri kosovar ka kërkuar nga zyrtarët e lartë të NATO-s që të shqyrtojnë me vëmendje kërkesën e palës kosovare që Kosova pas statusit të ketë një forcë të vetën mbrojtëse. Zyrtarët e lartë të NATO-s kanë vizituar edhe trupat ushtarake të KFOR-it, kurse në takim me kryeministrin kosovar kanë diskutuar për çështjen e sigurisë në Kosovë në këtë fazë të definimit të statusit, si dhe në lidhje me praninë ushtarake në Kosovë, pas definimit të statusit.
Po sot, lideri i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi ka pohuar se për Kosovën do të jetë me rëndësi substanca e propozimit të Ahtisaarit për statusin, dhe jo procedurat që do të ndiqen më pas. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tha se Prishtina do të dalë me një qëndrim unik lidhur me propozimin e Ahtisaarit dhe pret që ai propozim t’i përmbushë kërkesat e kosovarëve për Kosovën, shtet të pavarur e sovran.
“Me rëndësi për ne nuk janë procedurat, me rëndësi do të jetë substanca, e kjo substancë do të jetë në përputhshmëri me realitetin e shtetit të ri të ardhshëm. Kështu që, unë shpresoj dhe besoj që rekomandimet e presidentit Ahtisaari do të jenë rekomandime që do të prezantojnë substancën e shtetit të ri të ardhshëm të Kosovës”, tha Hashim Thaçi.
Ndërkohë, edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha se zgjidhja e statusit do të jetë pavarësia e Kosovës me të gjitha garancat për serbët e Kosovës si komunitet pakicë. Ai tha se një zgjidhje e tillë, nuk do të mund të kundërshtohet as nga Beogradi.
“Zgjidhja duhet të garantojë një stabilitet dhe bashkësisë ndërkombëtare i duhen argumente, që nëse Serbia mund ta kundërshtojë në njëfarë mënyre, edhe pse ata nuk kanë asnjë arsye që ta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Institucionet e Kosovës, populli i Kosovës kanë treguar vullnet të mjaftueshëm që t’i akomodojnë serbët e Kosovës në Kosovë, u kanë garantuar të drejtat e tyre, jetë të dinjitetshme, siguri, të drejtën në gjuhën e kulturën e tyre, të drejtën në trashëgiminë e tyre kulturore dhe këto janë ato që duhet çdokush t’i pranojë, këto janë ofertat tona konkrete”, theksoi Çeku.
Kryeministri i Kosovës tha sot po ashtu, se oferta e Ahtisaarit për statusin do të shqyrtohet me kujdes në Prishtinë. Kurse në lidhje me mundësinë e vazhdimit të bisedimeve me Beogradin, edhe pas pakos së Ahtisaarit, Çeku tha se duhet të pritet takimi i ardhshëm i Ekipit Negociues kosovar dhe kthimi i presidentit Fatmir Sejdiu nga Brukseli, para se Prishtina të marrë një vendim i tillë.


XS
SM
MD
LG