Ndërlidhjet

VESNA PESHIQ: BEOGRADI GJITHMONË I KA MANIPULUAR SERBËT E KOSOVËS


"Fatkeqësisht, serbët e Kosovës ndodhen në një situatë të vështirë shkaku i sigurisë. Nuk e kanë të lehtë të jenë pakicë në mesin e shqiptarëve. Por serbët atje gjithmonë kanë shërbyer që të manipulohen nga pushteti. Edhe tash ndodh e njëjta, nuk është diçka e re. Kështu ishte në kohën e Millosheviqit, kur ai fitonte 50 deputetë në Kuvend vetëm nga votat e pakicës serbe në Kosovë. Pra, pushteti gjithmonë i ka shfrytëzuar, ndërsa serbët e Kosovës janë manipuluar", thotë pos tjerash, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Vesna Peshiq, nënkryetare e Lidhjes Qytetare të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Peshiq, si do ta vlerësonit rrjedhën e deritashme të fushatës parazgjedhore në Serbi?

VESNA PESHIQ
Deri tash ka qenë mjaft qetë, nuk ka patur sulme të rrepta ndërmjet partive. Ne që i kritikojmë, themi që na duket sikur ato janë marrë vesh, ashtu si për kushtetutën. Ajo që ishte më drastike, ishte pritja e Vitit të Ri serb, ku ylli kryesor ishte Ceca Veliçkoviq-Razhnjatoviq, gruaja e Arkanit, të cilët kanë një biografi shumë të keqe. Me këtë rast lideri i koalicionit tonë u fye në një mënyrë të pashembullt.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë mase çështja e Kosovës ka qenë e pranishme në fushatën e partive politike?

VESNA PESHIQ
Mund t'ju them se nga njëra anë ishte mjaft e pranishme, por nga ana tjetër, edhe nuk ishte shumë e pranishme. Gjatë fushatës, më së shumti ofroheshin gjëra tjera, si psh. kush mund të fitojë banesë pa kredi, janë ofruar kompjutorë, dhe gjithçka tjetër. Pra oferta kryesisht kishte të bëjë me planin social dhe ekonomik, se me një shkop magjik do të përmirësohet gjendja ekonomike në Serbi. Fitohet përshtypja se fushata ishte përqëndruar kryesisht në çështjet sociale dhe ekonomike. Megjithate unë mendoj se Kosova ishte mjaft e pranishme, sepse kryeministri Koshtunica tha se do të bëjë koalicion vetëm me ata që kanë pikëpamjen e njëjtë për Kosovën. Mendoj se kjo çoi drejt një situate, në të cilën të gjithë do të duhej të ishim dakord për çështjet thelbësore, ndërsa të shprehnim mospajtimet tona për çështjet e parëndësishme. Kështu, u fitua përshtypja sikur për këtë çështje të gjithë jemi dakord, ndërsa mund të diskutojmë nëse sot është ditë e bukur apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush znj. Peshiq, sa janë reale deklaratat e disa zyrtarëve serbë se Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova?

VESNA PESHIQ
Unë mendoj se kjo varet nga ajo se kush ndodhet aktualisht në krye të Serbisë. Sigurisht që kemi disa rryma më të ashpra, si psh. Partia Radikale, Partia Demokratike e Serbisë apo Partia Socialiste.
Por ka edhe të tjerë. Boris Tadiq disa herë ka thënë se zgjidhja mund të na imponohet. Ai nuk thotë se do ta pranojë këtë, por e njofton opinionin për këtë mundësi. Ky është një variant më i matur se ai i mëparshmi. Nga ana tjetër, edhe radikalët kanë thënë se nuk do të ketë luftë. Pra, mbetet që vendimin ta marrin fuqitë e mëdha kur të formohet qeveria apo ndoshta edhe më herët. Unë mendoj se zgjidhja e ofruar pak a shumë do të duhet të përkrahet edhe në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëri nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, së fundi deklaroi se retorika e zjarrtë e disa zyrtarëve serbë nuk paraqet bazë të mirë për marrëdhëniet e ardhshme Prishtinë-Beograd. Si e vlerësoni qasjen e deritashme të autoriteteve serbe ndaj serbëve të Kosovës?

VESNA PESHIQ
Fatkeqësisht, serbët e Kosovës ndodhen në një situatë të vështirë shkaku i sigurisë. Nuk e kanë të lehtë të jenë pakicë në mesin e shqiptarëve. Por serbët atje gjithmonë kanë shërbyer që të manipulohen nga pushteti. Edhe tash ndodh e njëjta, nuk është diçka e re. Kështu ishte në kohën e Millosheviqit, kur ai fitonte 50 deputetë në Kuvend vetëm nga votat e pakicës serbe në Kosovë. Pra, pushteti gjithmonë i ka shfrytëzuar, ndërsa serbët e Kosovës janë manipuluar.
Por ajo nga e cila ne vuajmë është se shpesh herë, ata të cilët na udhëheqin, punojnë kundër interesave tona. Tash ne kurrsesi nuk mund t'i bindim njerëzit se vite me radhë po shkatërrohemi, për arsye se nuk mund të vijmë deri tek interesi racional i Serbisë. Në gjithë këtë, më së shumti pësojnë serbët e Kosovës, të cilët gjithmonë e zgjedhin atë që më së paku u përgjigjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Peshiq, a pritni që qeveria e re të ketë qëndrim të ndryshëm lidhur me të ardhmen e Kosovës?

VESNA PESHIQ
Kjo varet se kush do të jetë në qeveri. Unë këtë nuk mund ta parashoh. Nëse Koshtunica mbetet kryeministër, që nuk e përjashtoj si mundësi, atëherë me siguri nuk do të ketë ndryshime. Por nëse do të udhëheqte Partia Demokratike, atëherë ndoshta mund të vijë deri tek një qëndrim më i butë lidhur me çështjen në fjalë, e sidomos, nëse në qeveri do të hynte edhe koalicioni ynë i prirë nga Çedomir Jovanoviq.

RADIO EVROPA E LIRË
Po çka nëse fitojnë radikalët?

VESNA PESHIQ
Unë nuk besoj se radikalët vetë mund të fitojnë. Ata kanë një maksimum, 800 mijë deri 1 milionë vota. Deri tash më së shumti kanë fituar 82-83 deputetë, por nuk besoj se mund të fitojnë 126 vende. As socialistët nuk mendoj se mund ta kapërcejnë kufirin, prandaj nuk e dij se me kë do të mund të formonin qeverinë, përveç nëse në qeveri nuk do t'i ftonte Koshtunica.

Intervistoi Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG