Ndërlidhjet

AGJENCIA ANTI-KORRUPSION ENDE NUK E KA FILLUAR PUNЁN


Nadie Ahmeti

Me gjithë paralajmërimet se Agjencia Kosovare Anti-Korrupsion fillon punën gjatë këtij muaji, një gjë e tillë do të jetë e pamundur për shkak të buxhetit që i është ndarë kësaj agjencie. Hasan Preteni, udhëheqës i saj tha se agjencia ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e punës, por problemi është paraqitur tek mjetet materiale për mbulimin e pagave të punëtorëve, numri i të cilëve, sipas Pretenit, duhet të jetë 35. Sipas kërkesës së agjencisë, buxheti i saj për një vit duhet të jetė 536 mijë euro, por shuma e nënshkruar nga kryeadministratori i Kosovës është vetëm 412 mijë euro dhe përfshihen vetëm tetë punëtorë.
“Komisioni e ka aprovuar kërkesën tonë dhe ai atë e ka shqyrtuar në Parlament. Parlamenti e ka aprovuar kërkesën e agjencisë që të ketë 35 punëtorë dhe të ketë buxhetin sipas kërkesës në fillim. Mirëpo, buxheti është aprovuar më 23 dhjetor. Por, në dokumentin -që ka të bëjë me buxhetin-, i cili u nënshkrua nga kryeadministratori i Kosovës më 29 dhjetor, nuk figuron kërkesa apo ky aprovim. Ёshtë disproporcion në mes të asaj çka është nënshkruar në Kuvend dhe çka ka nënshkruar kryeadministratori. Administrata e UNMIK-ut thotë se shkresën e Kuvendit nuk e ka marrë fare”, tha zoti Preteni.
Ai thotë se mosnënshkrimi i buxhetit për pagat e 35 punëtorëve, sipas qeverisë është bërë për shkak të rekomandimeve të Fondit Monetar që në institucionet publike të mos ketë rritje të numrit të punëtorëve. Por, ai pohon se më tetë punëtorë agjencia nuk mund të funksionojë në mënyrë efikase.
“Ёshtë shumë problem me tetë zyrtarë, sepse ata nuk mund të kyçen, por pavarësisht nga kjo, agjencia do të funksionojë. Agjencia do të krijojë baza dhe ajo do të ketë shumë vështirësi të mëdha drejt funksionalizmit të plotë të saj ose drejt përmbushjes së misionit të cilin e ka paraparë me ligj”, tha zoti Preteni.
Ai shpreson se këto çështje do të zgjidhen deri në fund të këtij muaji, për të mundësuar funksionimin e agjencisë në fillim të muajit të ardhshëm. Ndërkohë, pavarësisht problemeve për funksionalizimin e saj, vetëm gjatë muajit dhjetor në këtë agjenci kanë arritur 83 paraqitje të dyshimeve për korrupsion.
“Janë në rrjedhë afër 25 raste dhe ne jemi duke zhvilluar veprime administrative. Të gjitha ato raste për të cilat kemi material të mjaftueshëm, ne do t’i dorëzojmë në prokurori. Prej këtyre rasteve, tre sosh i kemi paraqitur në polici”, theksoi zoti Preteni.
Funksionalizimi i kësaj agjencie në fakt është përballur me vështirësi të ndryshme që prej miratimit të ligjit për themelimin e saj. Domosdoshmëria e funksionimit të kësaj agjencie është përmendur edhe nga vet Grupi i Kontaktit në 13 standardet që ky Grup i ka përcaktuar të përmbushen nga institucionet vendore.
XS
SM
MD
LG