Ndërlidhjet

KFOR-I THOTË SE NUK KA FORCA PARAMILITARE NË KOSOVË


Zijadin Gashi

Në Kosovë nuk ka forca paramilitare që operojnë në pjesë të caktuara të saj, kanë pohuar sot zyrtarë të forcës shumëkombëshe në kuadër të KFOR-it si dhe ata të Policisë së UNMIK-ut. Përfaqësuesit ndërkombëtarë të ngarkuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, thanë sot se paralajmërimet nga kushdo qoftë për prani të forcave paramilitare nuk qëndrojnë, dhe se KFOR-i bashkë me policinë vendore dhe atë ndërkombëtare janë garantuese për një gjendje stabile të sigurisë, përfshirë edhe pjesën veriore të saj. Në prag të vendimit për statusin e Kosovës, KFOR-i dhe organet e tjera të sigurisë garantojnë se në Kosovë do të ketë një gjendje stabile, tha sot zëdhënësi i KFOR-it, Rainer Senger.
“Duke u thirrur në hetimet tona, themi se nuk ka forca paramilitare që operojnë në Kosovë, por ne do të vazhdojmë të mbetemi vigjilent lidhur me çfarëdo aktiviteti të individëve apo grupeve të caktuara që përpiqen të prishin gjendjen e sigurisë”, tha zëdhënësi Senger.
Po ashtu, edhe zëdhënësi i Policisë së UNMIK-ut, Lee Thomson tha se çdo deklaratë e individëve lidhur me prani të forcave jashtë-institucionale që paraqesin kërcënim për sigurinë, nuk duhet t’i shqetësojë qytetarët e Kosovës, pasi që organet e sigurisë, sipas tij, janë plotësisht të afta që të garantojnë siguri për qytetarët.
Thompson tha se qytetarët mund të sigurohen se në çdo kërcënim për sigurinë, ata do të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe se KFOR-i është këtu për të siguruar këtë vend nga çdo kërcënim i mundshëm.
Ndërkohë, duke u ndërlidhur në mbajtjen e zgjedhjeve të lira të Serbisë më 21 janar, të cilat si zakonisht do të organizohen edhe nëpër enklavat serbe në Kosovë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Jeff Bieley tha se administrata ndërkombëtare nuk merret me organizimin e tyre, por as nuk do të ndërhyjë në pengimin e askujt që dëshiron të votojë.
“UNMIK-u nuk ka ndonjë rol në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë, por ne mbetemi të përkushtuar të garantojmë një mjedis të qetë e të sigurt bashkë me KFOR-in dhe Policinë e UNMIK-ut”, tha zëdhënësi Bieley.
Ndryshe, në prag të vendimit për statusin e Kosovës, prania ndërkombëtare, civile e ushtarake, në Kosovë ka paralajmëruar se do të ndërmarrë edhe masa shtesë sigurie nëse kjo do të jetë e nevojshme, në mënyrë që të mos ketë eskalim të gjendjes së sigurisë.

XS
SM
MD
LG