Ndërlidhjet

KATËR KOMPANI NË GARË PËR TELEFONINË E DYTË MOBILE


Albana Isufi

Mobilcom Austria, IPKO Net me konsorciumin Telekom Slovenia/Mobitel, Team Kosova dhe Kosmocell janë kompanitë që kanë hyrë në garë për telefoninë e dytë mobile në Kosovë.
Këshilltari ligjor në Autoritetin Rregullator të Telekomunikacionit, Petrit Dërguti thotë se kanë qenë edhe dy kompani tjera që janë diskualifikuar nga gara.
“Duhet theksuar se në ART ka arritur një zarf që komisioni për shkaqe procedurale e ka pranuar, por nuk mund të konsiderohet si ofertë. Pastaj, kemi edhe një ofertë që ka ardhur në ART, por nuk është pranuar sepse ka ardhur pas afatit kohor të përcaktuar nga pakoja tenderuese, që ka qenë ora 15”, tha Dërguti.
Kompania që ka dorëzuar zarfin është IWH International, Gjermani. Zyrtarë të ART-së thonë se ka gjasa, që sikur IPKO-ja e cila si kompani vendore konkurron me partnerë sllovenë, edhe kompanitë tjera të huaja të kenë konkurruar bashkë me ato vendase. Por, detajet do të publikohen pasi që të hapen ofertat.
Të katër kompanitë do të vlerësohen nga Komisioni Vlerësues i përbërë nga ART-ja, Qeveria dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara, por, ai Komision nuk është kompletuar ende. Zëdhënësja e ART-së, Mirlinda Bivolaku shpjegon:
“Komisioni për Vlerësimin e Ofertave është formuar, ART-ja pret edhe dy përfaqësues të UNMIK-ut. Ne jemi të gatshëm”, tha Bivolaku.
Zyrtarë të UNMIK-ut pohuan sot se emërimin e këtyre dy anëtarëve do ta bëjë së shpejti shefi i UNMIK-ut, por nuk specifikuan datën.
Në bazë të kritereve të vendosura nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, ofertuesit do të përzgjidhen në bazë të asaj se sa shpejt do të arrijnë nivelin e mbulueshmërisë, sa do të kenë participim vendor, çfarë do jetë kualiteti dhe gama e shërbimeve si dhe çfarë përvoje kanë në telefoninë mobile.
Çmimi minimal që duhet të ofrojnë kompanitë ofertuese është 20 milionë euro. Deri në përzgjedhjen e kompanisë fituese, shërbimet e telefonisë mobile do t’i kryejë operatori i vetëm legal në Kosovë, Vala 900. Ndërsa, qytetarët kërkojnë përshpejtim të procedurave për shkak, siç thonë ata, të shërbimeve jo të favorshme të ofruara nga Vala 900. Krenar Gashi thotë se kohët e fundit Vala 900 ka përmirësuar pak shërbimet, por sërish ato mbesin më të dobëtat në rajon.
“Nuk janë shërbime të mira, s’janë as të përafërta me vendet në rajon e lëre më në Evropë, dhe kjo vjen si pasojë e monopolit që i është garantuar Valës 900 prej anës së Qeverisë dhe UNMIK-ut, të cilët nuk kanë ditur të menaxhojnë që dy herë tenderin e telefonisë mobile”, thotë Gashi.
Një qytetar tjetër i Prishtinës, Naser Jasiqi po ashtu nuk është i kënaqur me shërbimet e ofruara deri tash në fushën e telefonisë mobile.
”Është shtrenjtë, kanë premtuar shumë e nuk kanë realizuar, është çështje e minutazhit, flitet 5 sekonda e të llogaritet 1 minutë. Këto janë shërbime që nuk më pëlqejnë, por janë pa konkurrencë dhe duhet konkurrenca për të fituar ne më së shumti”, thotë Jasiqi.
Gara për tender të dytë të telefonisë mobile ka filluar që në vitin 2003, por pas shumë kontradiktave, tenderi i parë u anulua, pasi që ART-ja kishte shpallur fituese konsorciumin kosovaro-slloven Mobikos-Mobitel. Tenderi qe anuluar për shkak se UNMIK-u pati konsideruar se janë shkelur procedurat tenderuese.
Ministria e Postë-Telekomunikacionit ka rishpallur tenderin në tetor të vitit të kaluar, ku edhe qe shprehur e bindur se këtë herë nuk do të ketë probleme me tenderin dhe se Kosova përfundimisht do të bëhet me operator të dytë të telefonisë mobile.

XS
SM
MD
LG