Ndërlidhjet

SEJDIU:”PRESIM QË PROPOZIMI I AHTISAARIT TË JETË NË PAJTIM ME VULLNETIN POLITIK TË KOSOVËS”


Rrahman Paçarizi

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha sot se ishte i inkurajuar nga takimet që kishte pasur me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, mirëpo nuk tha nëse do të kishte bisedime të tjera me Beogradin lidhur me statusin e Kosovës, pas shpalljes së propozimit të Ahtisaarit për statusin. Presidenti Fatmir Sejdiu, i bëri këto vlerësime sot pasdite në aeroportin e Prishtinës, me t’u kthyer nga një qëndrim disaditësh në Bruksel, ku kishte takuar përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, komisionerin për zgjerim të Bashkimit Evropian Oli Rehn, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hop Scheffer dhe zyrtarë të tjerë.
“Është vërtet një mbështetje e fuqishme që u jepet proceseve në Kosovë, pra edhe procesit të bisedimeve që duhet të shpejtohet me propozimin e presidentit Ahtisaari dhe pritet që shumë shpejt të ecin edhe procedurat e tjera”, tha presidenti Sejdiu.
Ai tha se me zotin Solana kishin biseduar lidhur me atë që e quajti prani e lehtë ndërkombëtare pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, një prani që nuk do të ishte as si UNMIK-u i tashëm dhe as si Misioni Ndërkombëtar në Bosnjë. Mirëpo, paraprakisht, duhet të pritet dokumenti i Ahtisaarit.
“Ne presim që presidenti Ahtisaari të dalë shumë shpejt me propozim dhe natyrisht ai ka paralajmëruar se do të ketë nevojë për konsulta me ne, t’i japim rekomandimet tona, t’i japim qëndrimin tonë rreth dokumentit që do të ofrojë”, theksoi zoti Sejdiu, duke mos precizuar nëse do të ketë bisedime shtesë, mundësi kjo që qe paralajmëruar nga disa zyrtarë amerikanë dhe evropianë.
“Ne presim, siç kemi thënë edhe më parë, se do të jetë një substancë që do të përputhet me vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe natyrisht duam të shpejtojmë edhe me hapat e tjerë, duke pasur parasysh se nga momenti i paraqitjes së dokumentit, do të jetë një kohë shumë e shpejtë dhe një rezolutë e re në Kosovë e cila në fakt do të hedhë nga fuqia rezolutën 1244 dhe do të nxjerrë një tekst të ri, i cili do të mbështesë proceset e reja dhe zhvillimin e ardhshëm të Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.
Zoti Sejdiu theksoi më pas, se ai ishte në favor të ruajtjes së unitetit të brendshëm në Kosovë.
“Unë mendoj se ka nevojë për shtimin e kapaciteteve për çdogjë që mund të jetë e re në kuptim të implementimit të marrëveshjes, dhe shtimit të kapaciteteve të veprimit edhe të Qeverisë së Kosovës”, tha presidenti Sejdiu, duke premtuar se Kosova do të sillet si shoqëri e organizuar në momentet kur po përcaktohet e ardhmja e saj politike.

XS
SM
MD
LG