Ndërlidhjet

FËMIJËT QË PUNOJNË RREZIKOJNË MIRËQENIEN E TYRE


Nadie Ahmeti

Të nxitur nga gjendja e rëndë ekonomike dhe nga kurreshtja për të zotëruar me para, shumë fëmijë në Kosovë punojnë punë nga më të ndryshmet. Instituti për Politikë Sociale, që funksionon në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka bërë një hulumtim për fëmijët në punë, megjithëse të dhënat e sakta mbi numrin e tyre ende mungojnë. Mustafë Gara, drejtor i këtij Instituti, thotë se është vështirë të identifikohet numri i fëmijëve të përfshirë në punë, sepse këto të dhëna ndryshojnë nga dita në ditë dhe nga sezoni në sezon. Megjithatë, në këtë Institut janë më shumë të shqetësuar për fëmijët e angazhuar në punë të rrezikshme për shëndetin e tyre.
“Punë të rënda dhe të rrezikshme ne i kemi identifikuar punët që bëhen nëpër hedhurina, aty ku çdo ditë burimi për infektim me sëmundje nga më të ndryshmet, merret prej mbeturinave nga fëmijët dhe dërgohet në familje. Pastaj, puna që bëhet natën në ngarkim dhe shkarkim të kamionave me mallra të ndryshme, puna nëpër depo me pesticide, aty ku nuk ka kontroll se sa janë të rrezikshme ato për shëndetin e fëmijëve”, tha zoti Gara.
Por, në Fondacionin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë në Kosovë, UNICEF, thonë se në këtë kuadër, fëmijët më së shumti janë të rrezikuar nga trafikimi. Arbena Kuriu, nga ky Fondacion tha se viteve të fundit në Kosovë ka qenë më i shprehur trafikimi i fëmijëve për shfrytëzim seksual. Ajo ndërkaq, tha se fëmijë të të dyja gjinive janë të përfshirë në punë të ndryshme, por midis punëve që ata bëjnë ka dallime.
”Në punët që kanë të bëjnë me shitjen e gjësendeve kryesisht janë meshkujt, e edhe në bujqësi po ashtu. Mirëpo, një lloj tjetër i punës, shumë i përhapur tek ne, është puna në shtëpi, në të cilën kryesisht janë të përfshira vajzat. Kjo krijon probleme sepse mund të pengojë vajzën të vazhdojë shkollimin”, tha zonja Kuriu.
Ndryshe, zoti Gara shpjegon edhe arsyet që i nxisin fëmijët të punojnë, në bazë të hulumtimit që ka bërë Instituti për Politikë Sociale.
“560 sa i kemi intervistuar, 67 përqind e tyre del nga pozita e vështirë sociale, 3 përqind janë kurreshtarë që të kenë paratë e tyre në xhep, 3.87 përqind janë të shtyrë prej prindërve, 1.87 përqind janë konsumues të duhanit, alkoolit dhe drogës, dhe një pjesë tjetër e kanë shprehi të punojnë”, tha zoti Gara.
Puna e fëmijëve dhe mbrojtja e tyre nga punët e vështira duhet të rregullohet me ligj, thotë ndërkaq, Arbena Kuriu nga UNICEF-i.
“Ajo çka është me rëndësi të thuhet është se në Kosovë ende nuk është përcaktuar me ligj se cilat janë këto forma të rrezikshme. Fëmijët prej moshës 15-18 vjeç guxojnë të punojnë, mirëpo me kufizime”, tha zonja Kuriu.
Instituti për Politikë Sociale, në tetor të vitit 2005 ka filluar një projekt, që ka të bëjë me monitorimin e punës së fëmijëve, projekt ky që pritet të përfundojë në mars të këtij viti. Mustafë Gara, tha se ky projekt do t’i dërgohet për aprovim edhe Kuvendit të Kosovës, për të mundësuar shfrytëzimin e tij si një bazë ligjore.
“Identifikimin e këtyre formave të rrezikshme të punës e kemi përgatitur edhe për Parlament. Do të duhej që Parlamenti ta legalizojë atë, dhe atëherë do ta kemi shumë më lehtë bashkëpunimin me familjen, shkollën dhe me punëtorët socialë nëpër institucionet e ndryshme duke filluar prej gjyqeve, policisë, qendrave për punë sociale”, tha zoti Gara.
Sidoqoftë, Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, së bashku me pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës, vitin e kaluar kanë bërë përpjekje që të largojnë fëmijët që punojnë në rrugë, por rezultatet në këtë drejtim kanë qenë të pakta.

XS
SM
MD
LG