Ndërlidhjet

logo-print

RUECKER:”DO TË HEQIM DORË NGA PËRGJEGJËSITË TONA GJATË PERIUDHËS TRANZITORE”


Albana Isufi

Kanë filluar përgatitjet e para për hartimin e Kushtetutës së re si dhe të ligjit zgjedhor, të dy këto të nevojshme për Kosovën e pas statusit. Në takimin e sotëm të grupit strategjik tranzitor është raportuar për përpjekjet e grupeve punuese për t’i identifikuar parimet udhëheqëse të hartimit të Kushtetutës, parimet themelore të ligjit të ardhshëm për zgjedhjet si dhe mënyrën e interpretimit të opinionit për Pakon e zotit Ahtisaari.
Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker ka thënë se UNMIK-u po përgatitet që të heqë dorë nga përgjegjësitë.
“Ne do të heqim dorë nga përgjegjësitë tona gjatë periudhës tranzitore. Po e përgatisim terenin për bartjen e kompetencave te autoritetet e Kosovës dhe, në një shkallë më të vogël, te prania e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë”, tha Ruecker.
Grupi Strategjik i Tranzicionit është një grup trepalësh ku është i prezantuar Ekipi i Unitetit dhe institucionet e tjera të Kosovës, prania e ardhshme ndërkombëtare e Zyra Amerikane, dhe si palë e tretë është i prezantuar UNMIK-u.
Ndërkohë, periudha e pas statusit është diskutuar sot edhe në takimin mes kryeministrit Agim Çeku dhe Pedro Soranos, përfaqësues për siguri i kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Havier Solana.
BE-ja do të trashëgojë nga UNMIK-u disa përgjegjësi në fushën e drejtësisë, policisë dhe doganave. Kryeministri Agim Çeku, thotë se prania e ardhshme ndërkombëtare do të garantojë siguri dhe stabilitet, dhe do të punojë sipas ligjeve kosovare.
“Është me rëndësi të theksohet se kjo komponentë e sigurisë do të punojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, krah për krah me policinë
e Kosovës dhe komisioneri i policisë do të jetë kosovar. Gjithashtu,
komponenta e drejtësisë do të jetë e integruar plotësisht në
sistemin tonë të drejtësisë dhe do të punojë në bazë të ligjeve të
Kosovës, e po ashtu edhe komponenta e doganave. Detajet rreth kësaj komponente do të dihen kur Ahtisaari do ta paraqesë propozimin e tij, sepse një aneks i veçantë do t’i kushtohet propozimit të Ahtisaarit, do t’i kushtohet prezencës së ardhshme ndërkombëtare dhe komponentës së sigurisë, drejtësisë dhe doganave në veçanti”, tha Çeku.
Përfaqësuesi i BE-së, Pedro Sorano, është shprehur i kënaqur me punën e ekipit planifikues të BE-së, i cili tash disa muaj është vendosur në Kosovë për t’u përgatitur për fazën e tranzicionit.
“Kjo është pjesë e përfshirjes së thellë të BE-së në Kosovë.
Ballkani është pjesë e Evropës dhe duhet të bëhet pjesë e BE-së dhe pjesë e angazhimeve që BE-ja është duke bërë që të arrijë këtë
qëllim”, ka thënë Pedro Sorano.
Misioni i BE-së do të përbëhet nga një mijë deri në një mijë e treqind anëtarë. Rreth një mijë nga ta do të jenë policë, të cilët do të këshillojnë dhe mbikëqyrin kolegët lokalë, si dhe do kenë rol ekzekutiv në hetimin e çështjeve specifike, si krimi i organizuar apo korrupsioni.
XS
SM
MD
LG