Ndërlidhjet

logo-print

EKIPI NEGOCIUES MIRATON KORNIZËN E VEPRIMEVE NË LIDHJE ME STATUSIN E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Ekipi Negociues ka miratuar sot Kornizën e veprimit për periudhën në vijim, duke marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë kryesore politike deri në definimin e statusit, por edhe më pas. Grupi Negociues ka vendosur që të ekzistojë në këtë format deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës si shtet i pavarur. Të gjitha vendimet e veta, Ekipi Negociues ka vendosur që t’i procedojë në Kuvendin e Kosovës për miratim. Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skender Hyseni, tha se Korniza e miratuar sot, përfshin edhe veprimet që Prishtina do t’i ndërmarrë në lidhje me qëndrimet ndaj pakos së Ahtisaarit për statusin dhe implementimin e saj.
“Grupi i Unitetit vlerëson që të gjitha çështjet në vijim, me të cilat do të ballafaqohet, kërkojnë marrjen e vendimeve me konsensus në Grupin e Unitetit: qëndrimi për pakon e Martti Ahtisaarit, Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, dhënia e orientimeve themelore politike në përgatitjen e Draftit të Kushtetutës së shtetit të Kosovës, harmonizimi i Listës së ligjeve që do të ndikohen nga pakoja e Ahtisaarit (Agjenda Legjislative), dhënia e orientimeve themelore politike në përgatitjen e Draftit të Ligjit për simbolet e shtetit të Kosovës, dhënia e orientimeve themelore politike në përgatitjen e Draftit të Ligjit për zgjedhje, koordinimi i të gjitha aktiviteteve dhe veprimeve diplomatike të Kosovës për zgjidhje të drejtë të çështjes së Kosovës”, tha Hyseni, duke lexuar vendimet e Ekipit Negociues.
Vendimmarrja konsensuale u tha se do të aplikohet edhe në të gjitha çështjet tjera që lidhen me statusin dhe paraqiten në ndërkohë.
Po sot, Ekipi Negociues ka propozuar vendimin që zgjedhjet e ardhshme në Kosovë të mbahen jo më larg se deri në nëntorin e këtij viti dhe ato të organizohen në bazë të sistemit të pastër proporcional me lista të hapura dhe me Kosovën si një njësi unike zgjedhore.
Ndërkaq, lidhur me mundësinë e vazhdimit të bisedimeve me Beogradin edhe pas propozimit të pakos së Ahtisaarit, Hyseni tha se Ekipi Negociues nuk ka një vendim të prerë për këtë mundësi dhe as bashkësia ndërkombëtare, sipas tij, ende nuk ka kërkuar një raund të ri bisedimesh.
“Unë dua ta theksoj kërkesën e fuqishme të Ekipit të Unitetit që të mos ketë shtyrje më. Bile-bile ka përshtypje, që pjesë të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare, sikur e kanë kuptuar, që ndoshta ishte jo shumë e qëlluar edhe shtyrja e parë”, tha Hyseni.
Të gjitha vendimet që ka marrë sot Ekipi Negociues, sipas zëdhënësit Hyseni, janë marrë me konsensus të plotë nga pesë anëtarët e këtij Ekipi. Hyseni tha se nuk do t’i komentonte deklaratat se këto përgjegjësi që ka marrë Ekipi Negociues, e zhveshin Qeverinë nga përgjegjësitë e saj, pasi që misioni i vetëm i Qeverisë në këtë proces mbetet financimi i këtyre aktiviteteve. Kurse, implementimin e ka marrë mbi vete Ekipi Negociues, i cili do të formojë edhe grupet përkatëse për zbatimin e marrëveshjes për statusin dhe të gjitha vendimeve që do të dalin nga delegacioni i Kosovës.


XS
SM
MD
LG