Ndërlidhjet

ÇFARË NODHI ME SHQIPËRINË E MADHE?


“The Economist”

Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 21 janarit në Serbi, ish presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, do t’i prezantojë idetë e tij mbi statusin e Kosovës, duke rekomanduar pavarësinë, por me disa kushte. Megjithatë,një gjë është e qartë: Kosova nuk do të bashkohet as me Shqipërinë dhe as me pjesët e banuara me shqiptarë të Maqedonisë. Gjatë viteve të 90’ta, me zhytjen e Jugosllavisë së vjetër në gjak, serbët dhe kroatët synonin krijimin e Serbisë së Madhe dhe Kroacisë së Madhe. Shumë serbë mendojnë se është vetëm çështje kohe kur edhe shqiptarët do të synojnë krjimin e Shqipërisë së Madhe. Por, politikanët në Kosovë dhe në Shqipëri nuk e kanë promovuar asnjëherë idenë e bashkimit. Gjatë një sondazhi të vitit 2005 në Kosovë është arritur konkludimi se 90 përqind e popullatës e përkrahë pavarësinë dhe më pak se 10 përqind angazhohet për bashkim me Shqipërinë. Kjo flet edhe për një fakt të cilin nacionalistët shqiptarë e urrejnë, se të rinjtë shqiptarë në Kosovë kanë zhvilluar identitetin e tyre kosovar. Nuk është se ata nuk ndihen si shqiptarë, por thjesht nuk shohin asnjë kontradiktë në të qenit kosovarë njëkohësisht. Gjatë muajve të ardhshëm ky debat do të intensifikohet edhe më shumë, të paktën për faktin se Kosova ka nevojë për një flamur të vetin, veçanërisht nëse pavarësohet. Migjen Kelmendi thotë se në kohën kur Kosova ishte e shtypur nga Serbia, ai është identifikuar me shqiptarizmin, por tani ndihet krenar se është kosovar. Dallimi midis serbëve dhe kroatëve në njërën anë dhe shqiptarëve në anën tjetër është se shumica e serbëve dhe kroatëve deri në vitin 1991 kanë jetuar në një shtet. Shqiptarët ndërkaq, që prej përfundimit të pushtetit Otoman më 1912, nuk e kanë pasur një mundësi të këtillë. Me pavarësinë në prag të derës, udhëheqësit kosovarë nuk e kanë ndërmend që shtetin e tyre të ri ta shkrijnë në një shtet tjetër. Nacionalistët shqiptarë, në përgjithësi nuk e pëlqejnë termin “Shqipëri e Madhe”, ata preferojnë të bisedojnë për “Shqipërinë etnike”. Kjo mbulon jo vetëm Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë perëndimore, por edhe disa pjesë të Serbisë dhe Malit të Zi. Megjithatë, është i paktë numri i shqiptarëve të cilët janë të interesuar në krijimin e një shteti të këtillë. Për shumicën prej tyre, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është shqetësim shumë më i madh. Në cilindo rast, veçanërisht në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, politikanët, akademikët, studentët, biznesmenët dhe kriminelët sillen lirshëm sikur të jetonin në një shtet të vetëm. Teuta Arifi nga Maqedonia thotë se shqiptarët kudo duhet të kenë për model gjermano-folësit, të cilët kanë krijuar identitetet e tyre të veçanta në Gjermani, Zvicër dhe në Austri, por njkëohësisht kanë vazhduar ta ruajnë kulturën e njejtë gjermane. Tregu pan-shiptar prej 6 milionë konsumuesish është duke u rritur gradualisht, por jo edhe në kuptimin e biznesit të ndërsjelltë. Në vitin 2005, eksporti nga Kosova në Shqipëri ka arritur vetëm deri në 5.2 milionë Euro dhe Shqipëria nuk ka hyrë madje as në listën e 10 importuesve kryesorë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG