Ndërlidhjet

KAMPI I PLEMETINIT PRITET TË MBYLLET NË PRILL TË 2007-ËS


Albana Isufi

Kampi i Plemetinit do të mbyllet në prill të vitit 2007. Është ky premtimi i radhës i dhënë nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker për kampin, që nga paraardhësi i tij ishte quajtur “Kampi i Turpit”.
Ruecker gjatë një vizite që ka bërë së bashku me krerët e Komunës së Obiliqit në Plemetin, ka kërkuar integrimin politik, ekonomik e social të komunitetit rom, ashkali e egjiptas.
“Është qëllim yni që në prill të 2007-ës të mbyllet kampi dhe ju të shkoni në shtëpitë tuaja. Kam dëgjuar me kujdes atë që përmendet për mangësitë, që janë në ndërtimin e objektit të ri dhe ne do të shqyrtojmë mundësinë se si mund të ndihmojmë”, u ka thënë Ruecekr banorëve të kampit të Plemetinit.
Tridhjetë e gjashtë familje nga viti i kaluar janë sistemuar në objektin kolektiv të ndërtuar nga Qeveria e Kosovës, por siç thotë përfaqësuesi i kampit të Plemetinit, Bajrush Berisha, janë edhe dyzet e gjashtë familje të cilat presin të zgjidhin çështjen e banimit.
“Dyzet e gjashtë familje janë në kamp dhe ende është pa u zgjidhur problemi i tyre. Prej tyre, njëzet e gjashtë familje do të shkojnë në ndërtesën numër 2 që është në ndërtim e sipër, njëzet të tjerat do të mundohen të zgjidhin problemin duke gjetur kopjen e fletës poseduese të pronës, dhe kjo po bëhet në bashkëpunim me Programin për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe me grupin punues”, tha Berisha.
Megjithatë, edhe në ndërtesën e re, banorët ankohen se u mungon uji si dhe ngrohja qendrore. Berisha kërkon nga Ruecker dhe krerët komunalë zgjidhjen e problemeve.
”Vetëm dy metra nën këmbë na qëndron thëngjilli, nxehja duhet të jetë me thëngjill ose dru, e jo me naftë sepse na duhen 60 mijë euro për të siguruar atë. Për mua s’është problem, por për fëmijët po”, tha Berisha.
Shefi i UNMIK-ut, para se të dëgjojë hallet e banorëve të kampit të Plemetinit, është munduar ta bindë kryetarin e Komunës së Obiliqit për ndërtimin e termocentralit të ri, Kosova C.
“Ne kemi diskutuar për ambientin dhe ndikimin e KEK-ut, raportet mes Obiliqt dhe KEK-ut, projektin e ardhshëm të Kosovës C se si do të ndikojë në komunë. E kam siguruar kryetarin se projekti i Kosovës C do të jetë projekt, ku do të zbatohen standardet strikte për ambientin, pra standardet evropiane, sepse përndryshe, ky projekt nuk do të lëvizte përpara”, tha Ruecker.
Dikur kundërshtar i ndërtimit edhe të një termocentrali tjetër në komunën e tij, sot kreu i Obiliqit, Ismet Hashani është bindur se nuk ka gjë të keqe nga ndërtimi i tij.
“Ne morëm garanci, se investitori i ardhshëm do t’i përshtatet rregullave e normave ndërkombëtare, se nuk do ketë ndotje dhe komuna do ketë përfitime dhe do ta gjejë veten gjatë atij projekti”, tha Hashani.
Shefi i UNMIK-ut, ka vazhduar sot vizitën edhe ne fshatin e banuar me serbë, Babin Most, fshat ky në të cilin javë më parë qe vrarë në veturën e tij një pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës.

XS
SM
MD
LG