Ndërlidhjet

HAZIRI:”PAVARËSIA E KOSOVËS NUK DO TË JETË E KUFIZUAR, POR E MONITORUAR"


Zijadin Gashi

Pavarësia e Kosovës nuk do të jetë e kufizuar, por do të jetë e monitoruar, ka pohuar sot zëvendëskryeministri Lutfi Haziri. Ai tha se Kosova nuk do të copëtohet sipas skenarëve të Beogradit, dhe se Ekipi Negociues ka mbështetjen e partive politike në udhëheqjen e vendit deri në zgjidhjen e statusit. Në këtë aspekt, zëvendëskryeministri kosovar tha se vendimet e Ekipit Negociues do të zbatohen dhe secila nga subjektet politike do t’i japë përfaqësuesit e saj për grupet punuese, që do të zbatojnë veprime të ndryshme, përfshirë këtu dhe organizimin e zgjedhjeve të ardhshme. Haziri tha se Prishtina është në pritje të pakos së Ahtisaarit, e cila sipas tij do të paraqesë një vizion për shtetin e ardhshëm të Kosovës.
“Të gjitha ato zona që frikësohen prej të ardhmes, nuk kanë pse, sepse e ardhmja e vendit tonë është pavarësia e cila nuk do të jetë e ngulfatur, nuk do të jetë e kufizuar, por do të jetë e monitoruar. E monitoruar sepse edhe shumë shtete sovrane që janë sot, janë të monitoruara dhe mbikëqyrura nga faktori ndërkombëtar”, tha Haziri.
Në anën tjetër, vendimet e djeshme të Ekipit Negociues që t’i marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë politike për të drejtuar Kosovën, jo vetëm deri në zgjidhjen e statusit, por edhe deri në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, analisti Ilir Dugolli, i sheh si veprime normale të Ekipit Negociues, si një trup unik në të cilin përfaqësohen institucionet dhe forcat kryesore politike në Kosovë.
“Deri më tani ka pasur disa lëkundje dhe tendenca për t’u përfshirë dhe vendosur për këto çështje nga ana e Kuvendit, nga ana e partive të ndryshme, kështu që tani, pasi që institucionet kryesore, partitë kryesore janë të përfaqësuara aty, dihet qartë se ato do të vendosin, kështu që nëse asgjë tjetër, do të sjellë pak më shumë qartësi në këtë drejtim”, tha Dugolli.
Duke i komentuar vendimet e djeshme të Ekipit Negociues, Ilir Dugolli vlerëson se Korniza e miratuar është një hap i qëlluar për veprimet që e presin Prishtinën në fazën deri në zgjidhjen e statusit të saj dhe më pas. Ndërkaq, roli i Qeverisë dhe i institucioneve tjera, sipas Dugollit, edhe ashtu nuk ishte primar në procesin e statusit.
“Nuk është ndonjë margjinalizim i madh, ndonëse në sipërfaqe mund të duket ashtu. Në thelb nuk është asfarë margjinalizimi. Çështja e Kushtetutës edhe ashtu nuk mund të vendoset e as përgatitet nga ana e Qeverisë. Çështja e simboleve gjithashtu s’mund të vendoset nga ana e Qeverisë. Çështja e marrëdhënieve me jashtë deri më tani ka qenë përgjegjësi kryesisht e rezervuar e Misionit të Kombeve të Bashkuara, kështu që deri më tani kemi pasur përgjegjësi të cilat në një mënyrë ose në tjetrën, ose janë dizajnuar nga ana e Grupit Negociator, ose kanë qenë përgjegjësi ekskluzive të UNMIK-ut, të cilat në fazat e ardhshme duhet të barten në duart e Qeverisë”, theksoi Dugolli.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Lutfi Haziri, pret që ditët në vijim, presidenti Ahtisaari, në misionin e tij si emisar i Kombeve të Bashkuara për statusin, të prezantojë pakon e tij. Haziri, potencon faktin se nuk duhet të ketë më shtyrje tjera të paraqitjes së propozimit të Ahtisaarit. Kurse Prishtina në anën tjetër, të jetë e gatshme të marrë pozicionin e saj ndaj kësaj pakoje dhe të jetë e gatshme të vazhdojë tutje me zbatimin e marrëveshjes.
“Pjesa tjetër e angazhimeve në këtë fazë, të cilën ne besojmë dhe dëshirojmë që strukturat tona ta kenë të qartë, ka të bëjë me pakon e Ahtisaarit. Ai do të vijë shumë shpejt në Prishtinë me pakon e cila kryesisht do të strukturojë se si do të duket shteti i Kosovës dhe cilat janë obligimet e shtetit të Kosovës ndaj grupeve etnike", pohoi Haziri.
Pas zgjedhjeve të 21 janarit në Serbi, është paralajmëruar se në një afat të shkurtër Martti Ahtisaari do t’u prezantojë si Prishtinës ashtu dhe Beogradit, propozimin e tij për statusin e Kosovës. Ndërsa është bërë e qartë se me Ahtisaarin, palët do të kenë dhe një fazë të caktuar për konsultime, ende nuk është konfirmuar nëse do të kërkohen dhe raunde të reja bisedimesh Prishtinë – Beograd lidhur me këtë pako. Sidoqoftë, pas prezantimit të pakos së Ahtisaarit, besohet se rolin kryesor në hapat e mëtejmë në këtë proces do ta kenë Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit.


XS
SM
MD
LG