Ndërlidhjet

AUTORITETET NDËRKOMBËTARE TRIMËROJNË SERBËT TË KTHEHEN NË SHTËPITË E TYRE


Rrahman Paçarizi

Përfaqësues të disa vendve të Grupit të Kontaktit që kanë zyrat diplomatike në Prishtinë, kanë kërkuar më shumë kurajo nga serbët që të kthehen në shtëpitë e tyre që i kanë braktisur pas luftës dhe gjatë trazirave të marsit. Ata i kanë bërë këto komente gjatë një vizite në fshatin Svinjar, përkatësisht Frashër të Mitrovicës, një fshat i përzier etnikisht, ku shumë shtëpi të serbëve edhe pse të meremetuara dhe të rindërtuara nga Qeveria e Kosovës, vazhdojnë të mbeten të braktisura. Duke folur në emër të shefave të zyrave të vendeve të Grupit të Kontaktit, shefi i zyrës ruse, Andrej Dronov tha:
“Ne kuptuam se shqetësimi kryesor mbetet sigurimi dhe kjo është pengesa kryesore për kthimin e banorëve në këtë fshat. Ne u folëm atyre për atë që kemi parë në fshat dhe për konkluzionet lidhur me ndërtimin dhe meremetimin e shtëpive”.
Në anën tjetër, një nga udhëheqësit e serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës, Milan Ivanoviq, tha se nuk ka kushte sigurie për kthimin e serbëve në këtë fshat.
“Madje po bëhen përpjekje që ata të cilët janë përzënë nga fshati i tyre dhe që nuk kanë kushte për t’u kthyer, të shpallen fajtorë”, tha Milan Ivanoviq, sipas të cilit nuk janë krijuar as kushtet minimale për kthim.
Mirëpo, Andrej Dronov tha se pavarësisht nga konkluzionet e përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit, u takon vetë banorëve të vendosin për kthimin.
“Ata duhet të sjellin vendimet në bazë të gjykimit të tyre, mirëpo ne u dhamë shembuj se si situatat e njëjta janë zgjidhur anembanë Kosovës, ku njerëzit kanë vendosur të kthehen”, tha Dronov, duke përmendur sidomos rastet e të kthyerve në Komunën e Istogut, të cilat zoti Dronov i kishte vizituar gjatë ditës së djeshme.
Milan Ivanoviq nuk është pajtuar me shefin e zyrës ruse, duke thënë se gjendja në Svinjar kërkon qasje tjetër.
“Gjendja në fshatin Svinjar duhet të zgjidhet në planin e përgjithshëm, pra me ndihmën e shtetit serb, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe me marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Milan Ivanoviq, sipas të cilit masat aktuale janë parciale dhe nuk ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme. Ai tha se ekziston një tendencë e bashkësisë ndërkombëtare për të arsyetuar mossuksesin e tyre dhe të thonë se disa standarde janë përmbushur, por gjoja se banorët e Svinjarit nuk duan të kthehen. Fshati Svinjar, përkatësisht Frashër, është një paralagje në pjesën jugore të Mitrovicës.



XS
SM
MD
LG