Ndërlidhjet

PËR QEVERINË E KOSOVËS, ZGJEDHJET SERBE JANË TË PAVLEFSHME NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi

Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës është në kundërshtim me Kornizën Kushtetuese dhe me dokumente të tjera ndërkombëtare, prandaj ato janë zgjedhje të pavlefshme politikisht dhe ligjërisht, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, duke komentuar faktin që zgjedhjet e nesërme për Parlamentin e Serbisë do të mbahen edhe në disa vendbanime me shumicë serbe në Kosovë. Arben Qirezi, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës Agim Çeku, tha se për shkak të paqartësisë së statusit të Kosovës, bashkësia ndërkombëtare po lejon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës është kategorikisht kundër organizimit të zgjedhjeve të tilla në territorin e Kosovës, pasi të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare, si dhe Korniza Kushtetuese e Kosovës përcaktojnë se në çfarë lloj zgjedhjesh marrin pjesë qytetarët e Kosovës. Megjithatë, për shkak të paqartësisë së statusit, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të tolerojë mbajtjen e zgjedhjeve të tilla”, tha Qirezi.
Misioni i Kombeve të Bashkuara ndërkaq, as i ka organizuar dhe as e pengon mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, tha zëdhënësi Jeff Bieley.
“Ashtu si edhe në zgjedhjet e Serbisë në të kaluarën, UNMIK-u nuk do të organizojë mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi, por nuk do t’i pengojmë individët që të votojnë”, tha Jeff Bieley, duke mos komentuar efektet e këtyre zgjedhjeve. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës mendon se këto zgjedhje më shumë seç kanë ndonjë efekt ligjor apo politik, janë për konsum të brendshëm në Serbi dhe në fakt janë manipulim i serbëve të Kosovës.
“Nuk kanë kurrfarë ndikimi as ligjor dhe as politik në Kosovë. Janë domethënë zgjedhje të pavlefshme, ndërsa fatkeqësisht me këto Beogradi po vazhdon t’i manipulojë serbët e Kosovës, pra viktima janë vetë serbët e Kosovës, me qëllim që t’u krijojë atyre bindje të rrejshme dhe për konsum të brendshëm politik”, tha Qirezi.
Sidoqoftë, UNMIK-u dhe forcat paqeruajtëse do kujdesen për sigurinë edhe gjatë ditës së votimeve nëpër vendbanimet serbe të Kosovës.
“UNMIK-u dhe KFOR-i do të vazhdojnë të kujdesen për ambient të qetë dhe të sigurt dhe do të pengojmë aktivitetet në cilëndo palë që ne i konsiderojmë destabilizuese ose nxitëse”, tha zëdhënësi Jeff Bieley, ndërkohë që në zgjedhjet e Serbisë të cilat edhe në vitet e shkuara janë mbajtur edhe në disa vendbanime të Kosovës, nuk ka pasur incidente ndëretnike.
Në zgjedhjet e nesërme, në vendbanimet serbe do të hapen 267 vendvotime në 22 komuna, ndërsa të drejtë vote sipas organizatës CeSID që vëzhgon këto zgjedhje, kanë 101 mijë votues.

XS
SM
MD
LG