Ndërlidhjet

logo-print

TЁ PREMTEN AHTISAARI I PREZANTON GRUPIT TЁ KONTAKTIT PAKON PЁR STATUSIN E KOSOVЁS


Zijadin Gashi

Emisari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari pritet që këtë të premte t’u dorëzojë pakon e tij për statusin e Kosovës vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit. Pas zgjedhjeve të djeshme në Serbi, zyrtarë të UNOSEK-ut në Vjenë, thonë se hapi i ardhshëm është takimi i Grupit të Kontaktit në nivelin e drejtorëve politikë që do të mbahet të premten, më 26 janar në Vjenë. Zëdhënësi i UNOSEK-ut në Vjenë, Remi Dourlot, thotë se nuk do të ketë shtyrje të tjera dhe se në takimin e të premtes presidenti Martti Ahtisaari do t’u paraqesë fillimisht, propozimin e tij për statusin e Kosovës anëtarëve të Grupit të Kontaktit, ku kjo instancë e lartë ndërkombëtare do të njoftohet me përmbajtjen e propozimit. Ndërkaq më pas, Dourlot thotë se Ahtisaari do t’i kontaktojë si Prishtinën ashtu edhe Beogradin.
“Dita kur presidenti Ahtisaari do të udhëtojë për në Prishtinë e Beograd që t’ua prezantojë palëve propozimin e tij, ka mbetur për t’u përcaktuar në vijim”, tha zëdhënësi Dourlot. Pas kësaj do të ketë edhe disa diskutime me të dyja palët, si me Prishtinën ashtu dhe me Beogradin lidhur me propozimin e tij, theksoi ai. Pasi që palët t’i bëjnë komentet e tyre lidhur me propozimin e Ahtisaarit për statusin, zëdhënësi Dourlot thotë se do të pasojë faza e procedimit të këtij dokumenti për në Këshillin e Sigurimit. Por, ai thotë gjithashtu se nuk mund të parashikohet tani se sa kohë do të zgjasë faza e konsultimeve me Prishtinën e Beogradin, derisa pakoja e Ahtisaarit t’i procedohet Këshillit të Sigurimit.
“Pasi t’ua prezantojmë propozimin tonë, presim t’i kemi komentet dhe sugjerimet e palëve, dhe më pas do ta dorëzojmë dokumentin final në Nju Jork, përkatësisht te Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara”, tha Dourlot. Zëdhënësi i UNOSEK-ut, thotë po ashtu se nuk mund të parashikohet tani, nëse do të ketë nevojë edhe për një raund të ri bisedimesh të drejtpërdrejta ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Gjithçka, sipas tij, do të varet nga rrjedhat e procesit.
Ndërkohë, sot në Prishtinë Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një protestë, ku kanë marrë pjesë disa aktivistë të saj. Aty është prezantuar një pako që simbolizonte pakon e Ahtisaarit, e cila paraqiste vijat ndarëse në Kosovë, që sipas aktivistit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i përmban propozimi i Ahtisaarit për statusin e Kosovës.
“Gjërat jetike që pakoja e Ahtisaarit nuk do t’i ketë: është shumë e sigurtë që Kosova nuk do të ketë ushtri, është shumë e sigurtë që Kosova nuk do të ketë ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, është shumë e sigurtë që Kosova nuk do të ketë Ministri të Mbrojtjes, e këto janë gjërat kryesore që i nevojiten Kosovës dhe bazamenti i sovranitetit dhe lirisë së vërtetë. Ndërkaq, të njëjtën kohë, pakoja e Ahtisaarit do të përmbajë shumë gjëra negative dhe të cilat nuk janë në përputhje me vullnetin e popullit. Ky kompromis përmban decentralizimin, i cili Kosovës po ia copëton territorin dhe po e ndan në vija etnike”, tha Konjufca.
Përndryshe, institucionet dhe Ekipi Negociues i Kosovës, janë në pritje të prezantimit të pakos së Ahtisaarit, ndaj së cilës është paralajmëruar se Prishtina do të paraqesë një qëndrim unik si të pozitës ashtu edhe të opozitës.
XS
SM
MD
LG