Ndërlidhjet

PRISHTINA ZYRTARE S’BEFASOHET ME REZULTATET E ZGJEDHJEVE NЁ SERBI


Albana Isufi

Serbët e Kosovës numrin më të madh të votave ia kanë besuar Partisë Demokratike të Serbisë-Serbia e Re, që udhëhiqet nga kryeministri serb Vojisllav Koshtunica, përderisa kjo parti në Serbi, sipas të dhënave preliminare, është radhitur e treta.
Koordinatorja e Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokratike apo CeSID-it, Milena Jakshiq, thotë se nga zgjedhjet parlamentare serbe, që dje janë mbajtur edhe në Kosovë, kanë votuar mbi 50 përqind të votuesve të regjistruar.
“Numrin më të madh të votave në Kosovë e ka marrë Partia Demokratike e Sebrisë-Serbia e Re, 37.66 përqind. Kjo pasohet nga Partia Radikale Serbe me 25.6 përqind, mandej në vendin e tretë Partia Demokratike me 10.5 përqind, pastaj Partia Socialiste e Serbisë me 9.33 përqind, si dhe më pas vijnë partitë tjera me një përqindje më të vogël, tha Milena Jakshiq.
Ndërkohë, pozita dhe opozita në Kosovë vlerësojnë se bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk do ndryshojë. Në një komunikatë për media, Qeveria e Kosovës konsideron se zgjedhjet në Serbi janë veprim i brendshëm demokratik dhe nuk kanë të bëjnë me Kosovën, por me Kosovën ka pasur të bëjë vetëm data e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Këshilltari politik i kryeministrit, Arben Qirezi tha se rezultati i zgjedhjeve nuk ka qenë befasues, meqë një gjë e tillë edhe është pritur.
“Ne shpresojmë se Serbia përfundimishit do ta lërë të kaluarën anash dhe me këto zgjedhje të fillojë një kapitull të ri të shikimit përpara kah Unioni Evropian dhe kah demokratizimi i rajonit. Dihet që Kosova dëshiron të jetë shtet i pavarur, pjesë e një rajoni demokratik. Në këtë aspekt, ne shpresojmë se forcat poltike të Serbisë do t’i vlerësojnë interesat e popullit serb për një Serbi demokartike të orientuar kah Unioni Evropian, e jo nga e kaluara”, tha Qirezi.
Ndërkohë, Bajram Rexhepi, nënkryetar i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se nuk është befasi që radikalët kanë fituar më së shumti vota në Serbi.
Rexhepi thotë se kushdo që të vijë në Qeverinë e Serbisë, nuk pret ndonjë ndryshim të madh në qasjen ndaj Kosovës.
“Mund të jetë, që ndoshta Partia Demokratike e Tadiqit është më fleksibile në qëndrime, më komunikative me faktorin ndërkombëtar, mirëpo drejtpërdrejt sa i përket Kosovës, nuk janë dëshmuar se kanë ndonjë qëndrim, bile mund të thuhet se partia e Koshtunicës nganjëherë me qëndrime është shumë më radikale. Kështu që faktikisht, mund të shkojë në spekulime, por realisht në raport me Kosovën, unë nuk shoh ndonjë ndërrim të qasjes apo politikës së tyre”, tha Rexhepi.
Qeveria e Kosovës ndërkaq, pret që procesi i statusit të vazhdojë me dinamikën e paraparë menjëherë pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve dhe kërkon nga z. Ahtisari dhe Këshilli i Sigurimit, përmbylljen e procesit të statusit në bazë të vullnetit të popullit të Kosovës.
Zgjedhjet serbe kanë qenë shkas që i dërguari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari të mos e paraqesë propozimin e tij për statusin. Ai ka deklaruar se pakon gjithëpërfshirëse për statusin do ta paraqesë menjëherë pas zgjedhjeve ne Serbi, duke mos pritur krijimin e Qeverisë së re.
XS
SM
MD
LG