Ndërlidhjet

VARSHMЁRIA EKONOMIKE NGA IMPORTI


Nadie Ahmeti

Prania e ndërmarrjeve kosovare në tregjet e huaja vazhdon të jetë simbolike dhe nuk ka ndonjë dallim me vitet e mëparshme, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Ymer Havolli, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST”, tha se Kosova vazhdon të mbulohet me import me 35 përqind, ndërkaq mallrat kosovare eksportohen vetëm 5 përqind.
“Që nga viti 2002, 2003 dhe 2004, trendi i eksportit është shumë më i vogël. Ndërkaq, importi në vitin 2002 është 50 përqind; vjen duke rënë në vitin 2003 në 32 përqind; në vitin 2004, 32 përqind dhe në vitin 2005, 35 përqind”, tha zoti Havolli.
Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thonë se vetëm në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar, nga eksporti janë grumbulluar mbi 55 milionë euro, ndërkaq nga importi 927 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2005, ka një rritje të eksportit por edhe të importit, tha Igballe Rexhaj-Jashari, zyrtare për marrëdhënie me jashtë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
“Kemi një rritje mbi 70 përqind të eksportit, çka do të thotë se në këtë rast ka ndikuar edhe nënshkrimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë, që kishim me katër vende deri më tani”, tha zonja Rexhaj-Jashari.
Zonja Rexhaj-Jashari, thotë se mallrat nga Shqipëria janë ato që më së tepërmi hyjnë në Kosovë, ndërkaq ndërmarrjet kosovare më së shumti produktet e tyre i eksportojnë në Mal të Zi dhe në Serbi.
“Më së tepërmi në Kosovë hyn mall nga Shqipëria, 36 përqind, nga Bosna e Hercegovina 27 përqind, 18 përqind nga Zvicra dhe pastaj nga Italia, Bullgaria”, tha zonja Rexhaj-Jashari.
Arsye pse Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi, sipas ekspertëve, është moszgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës. Ymer Havolli, nga RIINVESTI, tha se “pjesëmarrja e vogël e ndërmarrjeve kosovare në tregun e jashtëm ka të bëjë me mungesën e një infrastrukture adekuate dhe problemet që paraqesin procedurat doganore, mungesat e informatave mbi tregun e jashtëm, kërkesat për cilësi dhe për përgatitjen e produkteve për paketim, për një dukje më të mirë, problemet gjatë lidhjes dhe realizimit të kontratës”.
Sidoqoftë, sipas ekspertëve, marrëveshja e tregtisë së lirë me vendet e Evropës Qendrore, do të jetë një lehtësim më i madh që ndërmarrjet kosovare të kenë qasje në tregun rajonal dhe evropian. Kosova është bërë pjesë e CEFTA-s më 19 dhjetor të vitit të kaluar, duke krijuar kështu marrëveshje të tregtisë së lirë me nëntë shtete tjera të Evropës Juglindore. Kjo marrëveshje krijon mundësi për zgjerim të shkëmbimeve tregtare, por edhe për investimet e huaja.


XS
SM
MD
LG