Ndërlidhjet

logo-print

NDIKIMI I ZGJEDHJEVE SERBE NË PËRCAKTIMIN E STATUSIT TË KOSOVËS


Krijimi i qeverisë në Serbi nëpërmjet një koalicioni midis demokratëve të presidentit Boris Tadiq dhe demokratëve konzervativë të kryeministrit Vojisllav Koshtunica nuk do të jetë proces i lehtë, shkruan në numrin e sotëm “Financial Times”. Megjithatë, gazeta shkruan se duke marrë parasyshë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, ata janë shpresa e vetme e Serbisë. Sfida më e vështirë do të jetë çështja e Kosovës, të cilën Serbia e sheh si pjesë të pandashme. Në fakt, retorika e zotit Tadiq mbi Kosovën është më pak e ashpër se ajo e zotit zotit Koshtunica, por asnjë udhëheqës serb, përfshirë këtu edhe zotin Tadiq, nuk do ta përkrahë propozimin e Kombeve të Bashkuara për Kosovën, që ka të bëjë me një pavarësi të kushtëzuar. Kombet e Bashkuara mund të presin nga Beogradi vetëm vënien e një kapaku mbi protestat e dhunshme publike. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndërkaq do të duhet të punojnë në përfitimin e mbështetjes së Këshillit të Sigurimit për një zgjidhje të imponuar dhe duke u nisur nga agresiviteti i fundit i Rusisë në këtë kuadër, edhe ky proces nuk do të jetë i lehtë.
E përditshmja “Christian Science Monitor” shkruan se mbështetja e fuqishme që votuesit në Serbi i kanë dhënë forcave ultranacionaliste sinjalizon telashe të reja për negociatorët ndërkombëtarë mbi çështjen e Kosovës. Duke u nisur nga deklaratat e fundit të Moskës zyrtare dhe zhvillimet në Serbi, gazeta shkruan se në Këshillin e Sigurimit mund të ketë ngrirje diplomatike, me vetë faktin se Rusia gëzon fuqinë e vetos mbi rezolutat e propozuara.
“Mundësia që Rusia të shfrytëzojë veton është jashtëzakonisht e madhe, përveç nëse komuniteti ndërkombëtar është në gjendje të trajtojë shqetësimet e Rusisë në Kavkaz”, i ka thënë gazetës, James Lyon, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, duke rikujtuar problemet e Rusisë me Osetinë Jugore dhe Abkhazinë.
E përditshmja tjetër amerikane, “New York Times”, citon diplomatë të afërt me procesin negociator të kenë thënë se gjasët që zoti Ahtisaari ta përmendë në mënyrë eksplicite pavarësinë në propozimin e tij janë të pakta. Kjo çështje do të jetë vendim individual i shteteve nëse duan ta njohin Kosovën. Gazeta shkruan edhe për mundësinë e ndarjeve në bllokun evropian, duke cituar analisten Juddy Batt nga Instituti i Bashkimit Evropian për Studime mbi Sigurinë. Zonja Batt thotë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian mund të ngurrojnë në pranimin e një zgjidhjeje që do të çonte deri tek pavarësia e Kosovës, duke përmendur këtu shqetësimet e Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros.
E përditshmja “Times” shkruan se që prej ditës së djeshme, Rusia dhe Perëndimi i kanë hyrë një rruge fërkimesh mbi të ardhmen e Kosovës, e cila së shpejti do të marrë hapin e madh drejt pavarësisë nga Serbia. Gazeta shkruan se me konfirmimin e rezultateve të zgjedhjeve serbe që vërtetuan fitoren e forcave radikale, udhëheqësit amerikanë, britanikë dhe të vendeve tjera perëndimore tashmë janë bërë gati për atë që do të njihet si përplasje me Kremlinin.
XS
SM
MD
LG