Ndërlidhjet

SERBЁT E KOSOVЁS PRESIN NGA AHTISAARI TЁ MOS PЁRMENDЁ PAVARЁSINЁ


Rrahman Paçarizi

Përfaqësues subjektesh të ndryshme politike të serbëve të Kosovës besojnë se kryenegociatori për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari në pakon e tij nuk do të japë propozim të qartë për statusin e Kosovës, ndërkaq bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas tyre duhet të vazhdojnë. Ata i kanë bërë këto komente vetëm pak ditë para se zoti Ahtisaari ta hapë pakon e tij para Grupit të Kontaktit. Oliver Ivanoviq, bartës i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, tha se zoti Ahtisaari ka punë të vështirë dhe të lehtë, pasi është lehtë të jepet mendimi prej eksperti, por puna e vështirë është që ai mendim të harmonizohet me Bashkimin Evropian dhe me Grupin e Kontaktit, e posaçërisht me Këshillin e Sigurimit.
“Në propozimin e Ahtisaarit do të ketë shumë zgjidhje neutrale dhe në to nuk do të ketë asgjë nga ato që shumë njerëz presin, pra nuk do të ketë zgjidhje të qarta”, tha Oliver Ivanoviq.
Ndërkaq, Goran Bogdanoviq, përfaqësues i serbëve të Kosovës në Ekipin Negociues të Serbisë, tha se presin që në raportin e Ahtisaarit të jenë përfshirë ato për të cilat edhe janë mbajtur bisedimet në Vjenë, decentralizimi, trashëgimia kulturore dhe çështjet që kanë të bëjnë me ekonominë.
“Mendoj se do të ishte iluzore të pritet, që në raportin e tij zoti Ahtisari të propozojë se çfarë duhet të jetë statusi i Kosovës, pasi për këtë çështje nuk është biseduar në Vjenë”, tha Goran Bogdanoviq, sipas të cilit bisedimet duhet të vazhdojnë, në mënyrë që të arrihet pajtueshmëri për çështjet në të cilat gjatë bisedimeve të deritashme nuk ka pasur pajtueshmëri. Sipas zotit Bogdanoviq, e vetmja zgjidhje në këtë mënyrë do të ishte e imponuar, pasi për Serbinë pavarësia e Kosovës është krejtësisht e papranueshme.
Mirëpo, Petar Miletiq, përfaqësues i partisë më të re të serbëve të Kosovës, Partisë së Pavarur Liberale, beson se në pakon e parë të Ahtisaarit nuk do të përmendet statusi, domethënë as pavarësia dhe as varësia e Kosovës.
“Mendoj se bisedimet mund të vazhdojnë, pra bisedimet e drejtpërdrejta serbo-shqiptare, edhe pse shqiptarët thonë se janë shterruar të gjitha temat, mirëpo unë mendoj se ende ka vend për negociata dhe për to kurrë nuk është vonë dhe kurrë nuk është mjaft”, tha Miletiq. Ndërkohë, përfaqësuesi i Këshillit Nacional Serb, Milan Ivanoviq tha se priste që raporti të jetë i balancuar dhe të përmbajë kompromisin e pranueshëm për të dyja palët në masën e njëjtë, edhe pse sipas tij: “është e qartë se ekziston një përpjekje që shqiptarëve t’u jepet një formë e pavarësisë, e cila ndoshta nuk do të jetë e shkruar në vetë raportin dhe se do të ketë lojë me terminologji”. Sipas Ivanoviqit, për serbët do të kërkohet përmbushja e të drejtave njerëzore, në kuadër të statusit të tillë të Kosovës që do të ishte ndarje e Kosovës nga Serbia. Milan Ivanoviq tha se kjo për palën serbe do të ishte e papranueshme.

XS
SM
MD
LG