Ndërlidhjet

logo-print

SAWER:”STATUSI I KOSOVЁS DUHET TЁ JETЁ I PRANUESHЁM PЁR POPULLATЁN SHUMICЁ”


Zijadin Gashi

Propozimi për statusin e Kosovës do të respektojë vullnetin e popullatës shumicë, ka pohuar sot në Prishtinë, drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, John Sawer. Diplomati britanik është pritur nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe Ekipi Negociues, në ditën kur presidenti Ahtisaari tashmë ka konfirmuar se do të sjellë pakon e tij për statusin, më 2 shkurt në Prishtinë. Sawer tha se i takon presidentit Ahtisaari të shpalosë propozimin e tij për statusin, mirëpo parimet bazë të këtij statusi, ai rikujtoi se janë caktuar qysh në takimin e Londrës, në fillim të vitit të kaluar nga ana e Grupit të Kontaktit.
“Grupi i Kontaktit e ka bërë të qartë para një viti në takimin e Londrës, se statusi i Kosovës duhet të përkrahet dhe të jetë i pranueshëm për popullatën shumicë të Kosovës, dhe kjo besoj se tregon shumëçka”, tha John Sawer.
Tani po vjen një periudhë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës që nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e zgjidhjes së statusit dhe largimin nga Rezoluta 1244, por ka të bëjë dhe me punën e madhe që ka përpara Kosova, në kuadër të proceseve integruese, tha diplomati britanik.
“Para Kosovës ndodhet një punë e madhe, që edhe ajo të jetë pjesë e Evropës, pjesë e Bashkimit Evropian, pjesë e NATO-s. Kjo është e ardhmja e Kosovës”, u shpreh Sawer. Ndërkaq, lidhur me disa shqetësime të vazhdueshme që paraqiten në Prishtinë për mundësinë që Rusia të përdorë veton e saj, sidomos në rast të opcionit të pavarësisë së Kosovës, diplomati britanik tha se Rusia, si pjesë e Grupit të Kontaktit, vazhdimisht i ka përkrahur çështjet fundamentale. Brenda Grupit të Kontaktit nuk ka pasur mosmarrëveshje; gjithmonë ka pasur marrëveshje për çështjet fundamentale”, tha Sawer. Ai tha se pas prezantimit të pakos së Ahtisaarit, mund të ketë dhe një fazë konsultimesh në mënyrë që palët t’i paraqesin komentet e veta lidhur me propozimin e Ahtisaarit para se ai t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit. John Sawer tha se nuk pret që ndërkohë të ketë dhe një fazë ri-negociimi, por më shumë pret që të ketë një fazë të konsultimeve.
Në anën tjetër, në emër të palës kosovare, presidenti Fatmir Sejdiu tha se e çmonte shumë rolin e Britanisë së Madhe në procesin e statusit dhe përkrahjes, siç tha ai, për pavarësinë e Kosovës. Ai tha se ka marrë konfirmimin e Ahtisaarit se do të sjellë propozimin e tij më 2 shkurt në Prishtinë, por detajet e këtij propozimi, sipas presidentit Sejdiu ende nuk dihen në tërësi.
“Mund të them se në kuptimin e përmbajtjes së brendshme të propozimit në këtë draft final, ne nuk kemi njoftime të drejtpërdrejta, por nga të gjitha takimet që kemi pasur deri tani dhe konsultimet me të (Ahtisaarin), kemi parasysh se përmbajtja nuk do të largohet nga ajo përmbajtje që është debatuar në takimet e Vjenës. Pala kosovare nuk do të hezitojë të japë qëndrimin e vet dhe mendojmë se ajo do të jetë e përputhshme me të ardhmen e saj, përkatësisht me pavarësinë e Kosovës”, tha Sejdiu.
Presidenti Sejdiu tha se pret që pas 2 shkurtit, procesi deri te marrja e vendimit për statusin do të hyjë në një dinamikë të shpejtuar. Ndërkaq, John Sawer tha po ashtu se pasi që kishte dëgjuar sot pikëpamjet e Ekipit Negociues, ai nesër do t’i dëgjojë edhe pikëpamjet dhe shqetësimet e serbëve të Kosovës lidhur me statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG