Ndërlidhjet

SA ЁSHTЁ NUMRI I TЁ ZHVENDOSURVE NЁ KOSOVЁ, 60 MIJЁ APO 200 MIJЁ?


Albana Isufi

Qeveria e Kosovës dhe Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara janë pajtuar përmes një marrëveshjeje mirëkuptimi, që të bashkërendojnë aktivitetet që kanë të bëjnë me kthimin e të zhvendosurve. Por, këto dy institucione nuk flasin për numër të njëjtë të të zhvendosurve. Qeveria thotë se s’ka statistika të sakta, por nuk ka më shumë se 60 mijë të zhvendosur, përderisa UNHCR-ja flet për një shifër tri herë më të madhe, 200 mijë.
Zëvendëskryeministri Lutfi Haziri, i cili ka nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit me shefin e UNHCR-së në Kosovë, thotë se shifrat ndërrohen shpesh për shkak të lëvizjes së të zhvendosurve, por më e përafërta nuk kalon 60 mijë.
“Shifra më e përafërt është ajo që një organizatë ndërkombëtare e ka trajtuar më gjatë dhe shumë seriozisht, ESI, dhe ajo është se 60 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në Serbi nën statusin e të zhvendosurit atje. Kjo përfshin edhe ata që janë kthyer, qoftë përmes programeve, qoftë përmes kthimit vullnetar”, tha Haziri.
Por, shefi i UNHCR-së në Kosovë, Martin Loftus më shumë u beson shifrave zyrtare.
“Mendoj se shifrat e fundit, shifrat zyrtare tregojnë se janë dikund 200 mijë. Këto shifra janë të larta, por këto janë shifrat e fundit zyrtare që i kemi, edhe pse mbase në të vërtetë shifrat janë më të vogla“, thotë Loftus, duke mos saktësuar se sa mund të jenë këto shifra më të ulëta.
“Nuk jam i sigurtë sa mund të jenë më të ulëta, por shifrat zyrtare janë 200 mijë”, tha Loftus.
Sipas zëvendëskryeministrit, janë edhe 2 mijë kosovarë joshqiptarë, që prej përfundimit të luftës janë zhvendosur në Mal të Zi, si dhe mbi 2 mijë të tjerë në Maqedoni. Ndërsa, edhe brenda Kosovës janë 12 mijë shqiptarë të zhvendosur, kryesisht banorë të veriut të Mitrovicës.
Haziri mendon se marrëveshja e nënshkruar me UNHCR-në do t’i japë më shumë përgjegjësi autoriteteve kosovare, që të merren me çështjen e kthimit. Deri tani, pothuajse të gjitha programet për kthimin apo bisedimet teknike me Beogradin, kanë qenë të udhëhequra nga UNHCR-ja.
”Tani ky rol ndahet me ne dhe ne besojmë se pas statusit, do të krijojmë kushte që njerëzit të deklarohen dhe ata të jetojnë në vendin e origjinës, sepse prona e tyre është e garantuar. Ne u garantojmë edhe me Kushtetutë nesër të drejtën e shfrytëzimit të pronës dhe prona i takon pronarit, që e ka në pronësi dhe e dëshmon”, tha Haziri.
Tri ministri: Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Kthimit dhe Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, janë obliguar që të zbatojnë detyrat që dalin nga Marrëveshja e Mirëkuptimit. Marrëveshja ka hyrë në fuqi që sot.

XS
SM
MD
LG