Ndërlidhjet

TЁ RINJTЁ DHE LUFTA E TYRE KUNDЁR DHUNЁS NЁ FAMILJE


Nadie Ahmeti

Dhuna në familje vazhdon të jetë e pranishme në përmasa shqetësuese dhe organet e rendit pohojnë se çdo ditë, raportohen nga një deri në dy raste të këtilla. Violeta Elezi, zëdhënëse në Shërbimin Policor të Kosovës, pohon se vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2006, janë paraqitur 667 raste të dhunës në familje, ku në shumicën e rasteve viktima janë gratë, kundër të cilave dhunë fizike ushtrojnë bashkëshortët e tyre.
“Duke filluar nga Prishtina, kemi gjithsejt 186 raste, në Prizren 136 raste, në Pejë 102, në Mitrovicë 87, në Gjilan 100 dhe në Ferizaj 60 raste”, tha zonja Elezi.
Gjendja e rëndë ekonomike dhe moszbatimi i ligjeve për barazi gjinore, janë arsyet kryesore që në Kosovë ushtrohet dhunë ndaj grave, thonë në Rrjetin e Grave të Kosovës. Igballe Rogova pohon se në kushtet e një papunësie të madhe, burrat ndjehen të dobët për të siguruar kushte për familjen, dhe kësisoji krijohet depresioni që më vonë krijon dhunë fizike ndaj anëtarëve të familjes.
“Shumë burra mendojnë se e kanë humbur atë burrërinë, sepse nuk mund të kujdesen për familjet, për fëmijët. Edhe gjendja ekonomike i shtyn ata që të hynë në depresion, të pinë alkool dhe të sulmojnë familjet”, tha zonja Rogova. Përveç kësaj, ajo pohon se në këtë drejtim, një pjesë të fajit e bartin edhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare. Ajo tha se pas përfundimit të luftës, nga këto organizata ka pasur projekte të ndryshme vetëm për gratë dhe fëmijët e traumatizuar, por jo edhe për burrat.
“Nuk kishte programe për burra të traumatizuar. Edhe ato trauma filluan të kthehen ndaj të dashurve të tyre në familje, filluan edhe me sjellje fizike kundër tyre”, tha zonja Rogova.
Bedrie Gashi, 50 vjeçe, punëtore në administratën publike, thotë se dhunë në të kaluarën ka pasur më tepër, por tash sipas saj, dhuna është më transparente. Ajo mendon se arsye e gjithë kësaj është ballafaqimi i njerëzve midis kohës tradicionale dhe asaj moderne.
“Po kam pasur rast të shoh dhunë në familje. Prej ekcesi të vogël për gjëra të përditshmërisë, ka eskaluar në dhunë familjare”, tha zonja Gashi.
Dhuna ndaj grave duhet të eliminohet dhe as që duhet të diskutohet kjo çështje në kohën në të cilën po jetojmë, thonë disa qytetare të tjera. Valdrina Graiçevci, nuk mund ta paramendojë se ndaj saj në të ardhmen, dhunë do të ushtrojë bashkëshorti i saj.
“Unë edhe në familje tjera po të dëgjoj se ka dhunë, shokohem e lëre më të vetja, që nuk do duroja aspak. Do mundohesha të gjej ndonjë mënyrë, por kur ta shoh se nuk mund të eliminohet ajo dhunë në familje, atëherë do shkoja në polici”, tha zonja Graiçevci.
Gentiana Paquku, shpreson se gjeneratat e reja, do të gjejnë mekanizma për parandalimin dhe eliminimin e tërësishëm të kësaj dukurie.
“Dhuna jo vetëm ndaj femrës, por ndaj askujt nuk duhet të përdoret. Nuk do të kisha mundur të duroj dhunë aspak. Ne si gjeneratë e re, do të mundohemi me vullnetin tonë që të pengojmë dhunën, gjithsesi”, tha zonja Paquku.
Dhuna në familje konsiderohet si vepër penale, në bazë të një rregulloreje të administratës së Kombeve të Bashkuara dhe kryesi i aktit të dhunshëm ndiqet penalisht.

XS
SM
MD
LG