Ndërlidhjet

KOSOVA E LIRË


WALL STREET JOURNAL

Diku përgjatë rrugëtimit që filloi me luftën e vitit 1999 në Kosovë e deri tek bisedimet e tanishme që po zhvillohen në qendrat perëndimore mbi të ardhmen e këtij vendi, historia në Ballkan është kthyer mbrapsht. Agresori në këtë luftë dhe në tri luftërat tjera të dhjetëvjetëshit të fundit – Serbia, tani është duke u trajtuar si palë e lënduar. Nga kosovarët, viktimat e para të apartheidit të Slobodan Milosheviqit dhe më vonë edhe të spastrimit etnik, tani kërkohet që t’i ngrijnë ëndërrat e tyre për lirinë. Amerikanët, të cilët i kanë dhënë fund marshutës së përgjakshme të Serbisë në rajon, janë tërhequr nga udhëheqësia diplomatike në Ballkan, duke e lënë atë në duar të evropianëve të pavendosur dhe të ndarë.
Prandaj, parashikimet nuk janë edhe aq të mira se negociatat mbi statusin final të Kosovës, të cilat tashmë kanë hyrë në ditët e fundit, do të shpaguajnë përkushtimin e gjatë ndërkombëtar për të qetësuar Ballkanin e trazuar. Në dy javët e ardhshme, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari, do të ndajë vizionin e tij për të ardhmen e Kosovës me kosovarët, serbët dhe akterët kryesorë diplomatikë. Sipas burimeve tona, ai do të përpiqet t’i pajtojë serbët, duke shmangur ambiciet e kosovarëve.
Kjo është përcaktuar atëherë kur zoti Ahtisaari, ish presidenti finlandez, shtyu propozimin e pritur në fund të vitit 2006, për të ndihmuar bllokun pro-perëndimor në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Por, ndikimi ishte i vogël: Një grup ultranacionalistësh, i udhëhequr nga një i akuzuar për krime lufte, mori numrin më të madh të votave.
Duke marrë edhe më tepër në konsideratë ankesat e vazhdueshme të Serbisë, zoti Ahtisaari do të rekomandojë që litari përreth qafës së kosovarëve të jetë edhe më i shkurtër se’ç është pritur në fillim të bisedimeve vitin që shkoi. Kërcënimet ruse dhe hamendjet e evropianëve i kanë shtuar arsyet që kanë nxitur komunitetin ndërkombëtar të përmbahet nga përmbushja e ambicieve për një Kosovë të pavarur. Fjala “pavarësi” mbase nuk do të paraqitet fare në dokumentin e Ahtisaarit dhe Kosova nuk do të ketë para vetes një orar të saktë për të arritur deri tek sovraniteti i plotë. Në vend të kësaj, plani aktual bën thirrje për aranzhime të përkohshme, për një kohë të pacaktuar, gjatë së cilës kosovarët do të marrin kontrollin mbi qeverinë e tyre, nën mbikqyrjen ndërkombëtare. E udhëhequr nga një diplomat i Bashkimit Evropian, Zyra e Misionit Ndërkombëtar, do të zëvendësojë administratën tetëvjeçare të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Kjo zyrë e re do të ketë pushtetin që të shfrytëzojë veton mbi legjislacionin ose të shkarkojë politikanë të zgjedhur, të cilët konsiderohen si kundërshtarë të “procesit paqësor”. Kjo ngjan me Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë.
Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duan që të paguajnë edhe një llogari tjetër prej disa miliardë dollarësh për një vend tjetër etnikisht të trazuar në Ballkan, atëherë Bosnja është modeli i duhur.
Duke e zbatuar këtë model, plani i Ahtisaarit gjithashtu do të mbrojë me ligj ndarjet etnike në terren. Enklavat e vogla serbe do të fitojnë pushtet të posaçëm, duke mbetur jashtë kontrollit të Prishtinës. Prandaj, edhe nëse Kosova arrin ta quajë veten shtet, nuk ka gjasë që të jetë unitar.
Kosovarët kanë pritur që sovraniteti i tyre të jetë i kufizuar, por jo deri në këtë masë. Politikanët e tyre nuk e kanë ndihmuar fare kauzën e tyre, duke keqmenaxhuar disa nga fushat e pakta që u janë lënë t’i qeverisin vetë, si arsimin dhe shëndetësinë. Edhe dështimi në krijimin e një ambienti të sigurtë për pakicën serbe tani është duke i përndjekur kosovarët. Por, për ta arritur pjekurinë për vetëqeverisje duhet që mbikqyrja ndërkombëtare të jetë më pak ndërhyrëse dhe duhet ofruar motive të qarta, siç është anëtarësimi në Bashkimin Evropian apo në NATO.
Njëkohësisht, propozimi kundërthënës pasqyron edhe një keqkuptim të politikës serbe. Demonët nacionalistë nuk do të zhduken vetëm nëse zoti Ahtisaari i godet në kokë. Sikur që kanë treguar edhe zgjedhjet e fundjavës, një pjesë e madhe e elektoratit serb nuk mund ta pranojë humbjen e Kosovës dhe nuk do ta pranojë kurrë. Por, reformistët janë qetësisht duke i bërë thirrje Ahtisaarit që ta heqë problemin e Kosovës nga rruga sa më shpejtë që të jetë e mundshme në mënyrë që serbët të mund të përqëndrohen në ribërjen e shtetit të tyre në një shtet modern dhe përparimtar në Evropë.
Në parashikimet ideale, Këshilli i Sigurimit do ta konfirmonte pavarësinë e Kosovës, në emër dhe në fakte, duke mundësuar një mbikqyrje të lehtë ndërkombëtare dhe praninë e trupave të NATO-s në terren. Por, Rusia është duke u kërcënuar me veto nëse Ahtisaari propozon një plan të këtillë. Blofi i tyre mund të quhet: është e dobishme të zyrtarizohet obstruksionizmi i Moskës.
Gjasët më të mëdha janë që Këshilli i Sigurimit të adoptojë një version më të modifikuar të këtij plani në pranverë. Kosova atëherë mund ta shpallë pavarësinë e saj dhe të kërkojë njohjen ndërkombëtare dhe megjithëse Serbia do të mund të ndërhyjë, Uashingtoni dhe qendrat evropiane mund ta ndalojnë atë duke e njohur Kosovën. Serbia e ka humbur të drejtën morale dhe ligjore mbi Kosovën pas luftës së vitit 1999. Edhe pse vuan nga disa lëngime të rëndomta ballkanike siç është krimi i organizuar dhe varfëria, Kosova megjithatë është përplot me të rinj entuziastë. Një ditë mund të jetë një shtet i vogël dhe i suksesshëm, por për të filluar ndërtimin e kësaj shtetësie, Kosova ka nevojë për lirinë e saj. Sa më shpejtë që të arrihet kjo, aq më mirë do të jetë për të gjithë, përfshirë këtu edhe serbët.


XS
SM
MD
LG