Ndërlidhjet

DOBBINS:"NËSE REZOLUTA NË KS DËSHTON, SHBA-të NJËANSHËM DO TË NJOHIN KOSOVËN"


James DOBBINS, ish emisar i SHBA-ve për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
Data kur i dërguari i Kombeve të Bashkuara do ta paraqesë propozimin e tij për statusin e Kosovës është shumë afër. Disa zyrtarë të lartë evropianë thonë se ky propozim duhet të jetë i pranueshëm për popullin e Kosovës, por duke evituar destabilizimin e Serbisë. Si e komentoni ju këtë pozicion?

JAMES DOBBINS
Mendoj se do të ishte gjë e mirë nëse mund të arrihen të dy këto gjëra, por nuk jam i sigurtë se është e mundshme. Mendoj se është e njohur se vetëm ndonjë formë e sovranitetit dhe e pavarësisë do të ishin të pranueshme për popullin e Kosovës. Mendoj se kjo me gjasë do të shkaktoj shqetësime në Serbi, por Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e Grupit të Kontaktit do të përpiqen që të evitojnë bërjen e dhembjes më të madhe për serbët, se sa që duhet të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë shprehin brengosje, sepse ata shohin paqartësi politike në Serbi, pas zgjedhjeve dhe rrezik që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të pranojnë edhe mëtutje shtyrje dhe do të këmbëngulin për më tepër koncesione nga Prishtina. Nga kënvëshrimi Juaj, a mund të ndodhë që dhënia eventuale e koncesioneve të mëtejme në favor të Serbisë, të radikalizoj situatën në Kosovë?

JAMES DOBBINS
Mendoj se me gjasë ka disa, por shumica e liderëve të Kosovës kanë deklaruar gjëra konstruktive gjatë javëve të fundit. Nuk mendoj se dikush do ta shtyjë publikimin e raportit të Ahtisaarit. Ndoshta do të tregohet se nuk është e mundshme që të arrihet një rezolutë e kënaqshme e Këshillit të Sigurimit nëse Rusia vazhdon ta mbështesë pozicionin serb. Në rast të këtillë, raporti do të duhej të implementohej nga NATO-ja, komuniteti evropian dhe nga vendet e saja anëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju posa e përmendët mbështetjen e Rusisë për Serbinë. Në këtë kuadër është gjithnjë e më e qartë se mund të pritet që Rusia do të parandaloj çfarëdo Rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që përmbanë elemente të papranueshme për Serbinë. Kjo është thënë qartë nga presidenti Putin dhe nga ministri i Jashtëm Lavrov. Pra, sipas jush, çka kërkon Rusia në rastin e Kosovës?

JAMES DOBBINS
Mendoj se para se gjithash Rusisë i kanë mbetur relativisht pak aleatë në Evropë dhe dëshiron t'i mbajë lidhjet e saj me Serbinë. Por, mendoj se është poashtu duke u përpjekur që t'i shmanget precedentit, që mund të përdoret kundër saj në rastet e lëvizjeve të tjera separatiste, siç është për shembull, në Çeçeni.

RADIO EVROPA E LIRË
A kemi të bëjmë me precedent në rastin e Kosovës?

JAMES DOBBINS
Mendoj se rusët do të jenë të shqetësuar nëse komuniteti ndërkombëtar vendos për ndarjen e Kosovës nga Serbia, pasi në të ardhmen, mund të arrihet deri në atë pikë, që të sanksionohet ndarja e Çeçenisë. Kuptohet Rusia dëshiron ta evitoj një precendet të këtij lloji.

RADIO EVROPA E LIRË
I dërguari amerikan, zoti Uisner tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë interesa vitale në zgjidhjen për Kosovën dhe ata do të kërkojnë nga Rusia që t'i ketë parasysh këta interesa. Çka do të thotë kjo?

JAMES DOBBINS
Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të synojnë që ta shfrytëzojnë ndikimin e tyr, për t'u përpjekur për ta bindur Rusinë që t'i bashkohet konsensusit të gjërë dhe ta mbështesë Rezolutën, që në mënyrë të qartë ndërton një status final për Kosovën dhe që të mos mbetet çështje e hapur për mospajtime të mëtejme. Ndoshta ato nuk do të kenë sukses, por ato sigurisht po bëjnë përpjekje.

RADIO EVROPA E LIRË
E përditshmja londineze "Gardian" këto ditë ka shkruar se kundërshtimi i Putinit ndaj pavarësisë së Kosovës ka të bëjë me solidaritetin sllav dhe me dëshirën e Moskës që ta mbajë ose rindërtoj ndikimin e vet në rajonet ish sovjetike në fqinjësi. Si e komentoni ju këtë çështje?

JAMES DOBBINS
Mendoj se ka disa elemente të solidaritetit sllav, por nuk do ta ekzagjeroja këtë. Shumica e shteteve të tjera sllave në rajon, në këtë moment, nuk janë veçanërisht pro ruse dhe vetëm në Serbi, Rusia ka disa shpresa për mbajtjen e lidhjeve tradicionale. Por, mendoj se shqetësimi për precedencë afër shtëpisë, ta lëmë anash Ballkanin, por veçanërisht në elementet potenciale disidente në federatën ruse, janë me gjasë shumë të rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni përfundimin e gjithë procesit për statusin e Kosovës?

JAMES DOBBINS
Mendoj se raporti i Ahtisaarit do të rekomandoj ndonjë lloj të pavarësisë së kushtëzuar ose të kufizuar për Kosovën dhe besoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të bëjnë përpjekje që ta sigurojnë Rezolutën e Këshillit të Sigurimit që në mënyrë të qartë e mbështetë këtë. Kjo Rezolutë, me gjasë, do t'i transferoj, në masë të madhe, përgjegjësitë për mbikqyrjen e zhvillimeve të mëtejme në Kosovë, nga Kombet e Bashkuara në Bashkimin Evropian. Nëse dështon që të arrihet një Rezolutë plotësisht e pranueshme, atëherë mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe, me gjasë, shumica e fuqive perëndimore do të jenë të përgatitura për ta njohur Kosovën në mënyrë të njëanshme.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG