Ndërlidhjet

SEJDIU:”PËRGJEGJËSITË BARTEN PARALELISHT ME STATUSIN”


Zijadin Gashi

Viti 2007 do të shënojë dhe fundin e Misionit Administrues të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që zbatohet që nga shtatori i vitit 1999 përmes UNMIK-ut. Me zgjidhjen e statusit të Kosovës, pritet që administrata ndërkombëtare të fillojë përgatitjet për largimin e saj nga Kosova, duke i bartur paraprakisht përgjegjësitë dhe kompetencat te institucionet e Kosovës, si dhe te zyra civile ndërkombëtare që do të instalohet në Kosovë pas statusit. Pas një takimi që ka zhvilluar sot Ekipi Negociues për statusin dhe Grupi për Tranzicion, ku përfaqësohen të gjitha strukturat politike vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se beson që ky vit do të shënojë zgjidhjen e statusit të Kosovës në njërën anë, dhe përmbylljen e misionit të UNMIK-ut në anën tjetër.
“Që nga kjo kohë e përgatitjeve për tranzicion, UNMIK-u do të bartë kompetencat në institucionet e Kosovës dhe besojmë natyrisht, paralel me çështjen e statusit do të bëhet edhe procesi i përgjegjësive që do të zgjatë pak muaj, jo shumë”, tha presidenti Sejdiu. Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i cili kryeson nivelin më të lartë që ka të bëjë me tranzicionin, tha se takimi i sotëm kishte për qëllim përgatitjet e nevojshme në prag të vizitës së Ahtisaarit dhe dorëzimit të pakos së tij për statusin e Kosovës te pala kosovare.
“Grupi strategjik për tranzicionin, i cili po i bën planifikimet për fazën e tranzicionit dhe Ekipi Negociues kanë diskutuar sot përgatitjet në prag të vizitës së Ahtisaarit, i cili pritet të sjellë propozimin e tij për statusin e Kosovës në Prishtinë, më 2 shkurt”, ka thënë Joachim Ruecker. Në Kosovë që nga qershori i vitit të kaluar, po qëndron dhe një ekip planifikues i Bashkimit Evropian, në përgatitje të misionit të ardhshëm civil ndërkombëtar pas statusit. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, tha se ka një ndarje të përgjegjësive që do të bëhet ndërmjet institucioneve vendore dhe zyrës civile ndërkombëtare, që besohet se do të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian për ku do të jenë të përfaqësuara edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Sejdiu tha se prania e ardhshme ndërkombëtare do të jetë e përkohëshme dhe ka si qëllim të vetin t’u ndihmojë institucioneve të Kosovës. Kjo prani, sipas Sejdiut, ka një interesim për fushën e sigurisë dhe të drejtësisë, por nuk do të jetë e formatit të UNMIK-ut. Sejdiu tha se institucionet e Kosovës do të kenë në anën tjetër shumë më tepër përgjegjësi dhe kompetenca, se sa që kishin në kohën e administrimit të Kosovës nga UNMIK-u, duke përfshirë këtu dhe sigurinë dhe mbrojtjen.
“Do të jetë një periudhë kalimtare, që ne e marrim në kuptimin më të mirë, si një ndihmesë e institucioneve të Kosovës për të shpejtuar hapin e tyre në proceset integruese. Do të jetë natyrisht edhe prezenca e forcave të NATO-s, si forca të sigurisë, dhe po kështu në këtë lëvizje, ne kemi shprehur qëndrimin tonë se jemi të interesuar që si Kosovë të ngritet një forcë mbrojtëse e Kosovës, e cila do të jetë në parametra të NATO-s dhe standardeve ndërkombëtare”, tha Sejdiu.
Faza e tranzicionit parashihet se do të zgjasë që nga dita e propozimit të planit të Ahtisaarit për statusin, deri në nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën nga ana e Keshillit të Sigurimit. Ndërkohë që UNMIK-u, më pas do të fillojë të largohet nga Kosova duke dorëzuar përgjegjësitë e veta tek institucionet vendore dhe prania e ardhshme ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG