Ndërlidhjet

logo-print

RREZIQET E DECENTRALIZIMIT TЁ PAQARTЁ


Albana Isufi

Nëse institucionet e Kosovës nuk identifikojnë problemet me kohë dhe nuk gjejnë zgjidhje të kristalizuara, procesi i decentralizimit mund të sjellë një mori rreziqesh për Kosovën. Këtë përfundim e ka sjellë Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) në punimin diskutues “Centralizimi Etnik dhe Rreziqet e Zgjidhjeve të Ndërlikuara”. Ilir Dugolli nga ky institut, thotë se rreziku më i madh mund të jetë shpallja e pavarësisë së zonave që serbët e veriut i kontrollojnë, nëse ata nuk pajtohen me statusin final të Kosovës.
“Është çështja e reagimit të një pjese të bashkësisë serbe ta zëmë, me shpalljen e njëanshme të autonomisë politiko-territoriale që do i bënin nga komunat dhe lidhjet që ato kanë në mes vete. Dhe që mandej, ka rreziqet e veta jo vetëm për atë pjesë, por edhe për pjesën tjetër të territorit të Kosovës, edhe me atë se si do të reagojnë institucionet e Kosovës në kuptimin e obligimeve që kanë marrë për ta zbatuar decentralizimin në pjesët tjera”, thotë Dugolli.
Dugolli thotë se përkushtimi i kushtëzuar i institucioneve për zbatimin e decentralizimit bart edhe rreziqe tjera, si ndarja e Mitrovicës, konfliktet për kufijtë e rinj në mes të komunave, vazhdimi i financimit të strukturave paralele nga Beogradi, si dhe mosbindja ndaj vendimeve të Gjykatës Supreme apo Gjykatës së ardhshme Kushtetuese nga gjykatat e udhëhequra nga serbët nëpër komunat e reja serbe.
Por, nuk është vetëm KIPRED që parasheh rreziqe të tilla. Fehmi Mujota, që ka qenë pjesë i grupit per decentralizimin në bisedimet e Vjenës, suksesin apo mossuksesin e këtij procesi e sheh në Mitrovicë.
“Nuk ka mundësi që të ecet më tutje, nëse nuk do të ketë sukses në Mitrovicë. Çështja e bashkimit të qytetit në kuptimin e dy komunave në një qytet, kthimi i qytetarëve në pronat e tyre dhe respektimi i të gjitha parimeve dhe kritereve, ashtu si respektohen pakicat tjera - nëse kjo nuk do të ndodhë, të gjitha shenjat çojnë në drejtim të asaj se vështirë mund të jenë të zbatueshme ato kritere në pjesë të tjera të Kosovës, ku ka qenë një pozicion tjetër, që ka pasur mundësi që të mos ndodhë ashtu si ka ndodhur”, thotë Mujota.
Kundërshtari më i madh i procesit të decentralizimit në Kosovë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, hedh poshtë deklaratat e liderëve të Kosovës se decentralizimi është çmimi për pavarësinë e Kosovës. Ai thotë se përcaktimi i statusit është bileta për decentralizimin.
“Nëse na e lënë sovranitetin paraprakisht, natyrisht që një kësi lloj decentralizimi, që është tërësisht mbi baza etnike, nuk do të mund të realizohej në terren. Prandaj, ky decentralizim është ngusht i lidhur me përcaktimin e statusit që është larg të qënit edhe zgjidhje e statusit. Pra, decentralizimi para sovranitetit pashmangshëm është centralizim etnik”, thotë Kurti.
Shefi për Pushtet Lokal në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Fehmi Mujota thotë se statusi i Kosovës, trajtimi i pakicave dhe decentralizimi në Kosovë janë raste të veçanta, të papara në praktikat tjera ndërkombëtare. Ai parasheh vështirësi në zbatimin e të gjitha këtyre.
“Vendimi për statusin e Kosovës do të jetë shumë i vështirë, pakoja për trajtimin e pakicave do të jetë po ashtu shumë e vështirë, por zbatimi në praktikë do të jetë edhe me i vështirë. Partneriteti për zbatimin e pakos që po vjen, do të jetë obligim i përbashkët edhe ndërkombëtar edhe vendor, por edhe i qytetarëve të Kosovës”, tha Mujota.
Ndërkohë, pesimizmin për procesin e decentralizimit në tryezën e organizuar nga KIPRED, është munduar ta zbusë Brian Johnes, përfaqësues i Zyrës Britanike në Prishtinë.
“Decentralizimi nuk ka të bëjë me ndarje, por me bashkimin e njerëzve përmes shërbimeve të mira publike në nivelin komunal. Nuk ka të bëjë me zgjidhje të menjëherëshme, pasi që duhen muaj e vite dhe shumë punë. Më e rëndësishmja, decentralizimi nuk ua merr të drejtat njerëzve, por ua jep ato. E drejta, që çdo baba në Kosovë të mundë të arsimojë të birin në gjuhën amëtare, që çdo i sëmurë të trajtohet nga mjeku në gjuhën e tij”, tha Johnes.
KIPRED konsideron se evitimi i rreziqeve nga procesi i decentralizimit mund të bëhet vetëm nëse rreziqet identifikohen saktë, ashtu sikurse edhe mënyra e reagimit për secilin prej tyre. Po ashtu, KIPRED rekomandon që të ketë zgjidhje sa më të kristalizuar që është e mundur, në mënyrë që fleksibiliteti dhe mundësia e keqinterpretimit nga ana e palëve, të vihen në minimum.

XS
SM
MD
LG