Ndërlidhjet

A KA KOSOVA PROJEKTE PËR MARRJEN E KREDIVE NDËRKOMBËTARE?


Nadie Ahmeti

Kosova duhet të ketë projekte të përgatitura për marrjen e kredive, dhe t’ua paraqesë institucioneve financiare ndërkombëtare, menjëherë pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, thonë ekspertë vendorë për çështje ekonomike. Sefedin Sefa, megjithatë pohon se Kosova në këtë fazë, me ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, është munduar që të punojë në këtë drejtim. Sipas tij, përmbledhja e këtyre kërkesave është përfshirë në Strategjinë dhe Planin Zhvillimor të Kosovës, ku tashmë është paraqitur drafti i parë i saj, në të cilin janë paraparë projekte për investimet publike dhe korniza afatmesme e shpenzimeve.
“Duhet të punohet shumë më shumë, që në njëfarë mënyre të prezantohemi para institucioneve financiare që kemi të planifikuara, dhe të prezantohemi me mundësitë që mund të na ofrojnë tek institucionet financiare ndërkombëtare”, tha zoti Sefa.
Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, ndërkaq tha se Qeveria dhe komuniteti i biznesit në Kosovë, tashmë është dashur të dalin me projekte konkrete në këtë fushë. Ai tha se mungesa e projekteve konkrete, do të ndikojë negativisht në zhvillimin e ardhshëm ekonomik.
“Jo vetëm Qeveria, por edhe komuniteti i biznesit dhe i gjithë ai që mendon të ketë një ardhmëri ekonomike, duhet sa më parë t’i qaset një studimi më pragmatik të projekteve konkrete. Të jenë të përgatitura në formë dhe standarde evropiane, të jenë të zyrtarizuara apo të shkruara në gjuhën angleze, me të vetmin qëllim që të gjejnë mundësi për t’u financuar nga institucionet e ndryshme financiare”, tha zoti Gërxhaliu.
Mungesa e projekteve për marrjen e kredive nga institucionet e huaja ndërkombëtare, është bërë për shkak se institucionet vendore nuk i kanë kushtuar rëndësi gjendjes ekonomike.
“Çështje kryesore ka qenë gjithmonë çështja politike, dhe ajo ka qenë më e lira në Kosovë. Por, është e vërtetë se mungesa e projekteve ka ndikuar shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha zoti Gërxhaliu.
Ndryshe në këtë kuadër, zoti Sefa pohon se problem paraqet edhe mungesa e legjislacionit, që duhet të jetë bazë për realizimin e këtyre projekteve.
“Në dokumentin që ka të bëjë më planin aksional të partneritetit evropian, kërkohet që të finalizohet legjislatura e cila mundëson një hyrje në këso forma të projektit. Konkretisht, aty bëhet fjalë për energji. Edhe për energji duhet të finalizohen shumë baza legjislative, të cilat mund të hynë si projekte vitale për Kosovën”, tha zoti Sefa.
Sidoqoftë, deri më tani Kosova ka mundur të marrë kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, vetëm në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo u mundësua pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi në vitin 2005, në mes të kësaj banke dhe administratës ndërkombëtare në Kosovë.


XS
SM
MD
LG