Ndërlidhjet

SAWERS POROSIT SERBËT TË MOS E REFUZOJNË PLANIN E AHTISAARIT


Rrahman Paçarizi

Drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, John Sawers i ka ftuar sot serbët e Kosovës që të mos e refuzojnë në asnjë mënyrë planin e Ahtisaarit për Kosovën. Ai i ka lutur përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, që bashkë me presidentin Ahtisaari, të punojnë në detajet e rëndësishme të propozimit që Ahtisaari do ta sjellë në Kosovë. Pas takimeve që ka pasur në pjesën veriore të Mitrovicës, zoti Sawers tha se propozimi i Ahtisaarit përmban përgjigje për kërkesat e serbëve të Kosovës.
“Asnjë nga komunitetet nuk do ta mirëpresë tërësisht propozimin e Ahtisaarit, pasi ai është një kompromis, mirëpo do të ketë një periudhë pas vizitës së Ahtisaarit, për konsultime, diskutime dhe për përmirësimin e propozimeve”, tha zoti Sawers. Ai mendon se propozimi i Ahtisaarit përmban shumë detaje, që kërkojnë shqyrtim të hollësishëm dhe ka shtuar se e ardhmja e të gjithëve do të mbështetet pikërisht mbi vetë detajet e atij plani.
Anëtari i Ekipit Negociues të Serbisë në bisedimet për statusin e Kosovës, Marko Jakshiq, pas takimit me zotin Sawers, tha se askush nuk ka të drejtë ta ndajë Kosovën nga Serbia dhe se serbët asnjëherë nuk do të pranojnë që ta sakrifikojnë territorin për të jetuar më mirë.
“Asnjëherë nuk do të pranojmë ta sakrifikojmë territorin për të jetuar më mirë, për të udhëtuar apo për ta pasur tryezën më të pasur”, tha Marko Jakshiq.
Kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, tha se i kishte thënë diplomatit britanik se zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi treguan se askush nga serbët nuk është për pavarësinë e Kosovës, dhe se ky është një opsion krejtësisht i papranueshëm.
“Duam të jetojmë në shtëpitë këtu, në shtëpitë dhe vatrat tona dhe të mbetemi në shtetin tonë”, tha Milan Ivanoviq.
Imponimi i pavarësisë për ne do të ishte krejtësisht i papranueshëm dhe në atë rast, me të gjitha mjetet legjitime do ta mbrojmë të drejtën tonë për të jetuar këtu, tha Ivanoviq.
Zoti Sawers tha se dëshirojmë që njerëzit në Kosovë, pavarësisht nëse janë shqiptarë, serbë apo të tjerë, të kenë mundësitë e njëjta si të gjithë qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa këto mundësi do të krijohen kur të zgjidhen çështjet nga e kaluara. Sawers i ka porositur të rinjtë që të shikojnë kah ardhmëria, ndërsa ardhmëria është Evropa. Zoti John Sawers ka biseduar dje dhe sot edhe me anëtarë shqiptarë të Ekipit Negociues, të cilëve u ka thënë se statusi i Kosovës duhet të jetë i pranueshëm për shumicën e popullatës në Kosovë.

XS
SM
MD
LG