Ndërlidhjet

logo-print

STRASBOURG


I dërguari i posaçëm i KB, Martti Ahtisaari tha se propozimi i tij për statusin e Kosovës do të mundësojë jetë dinjitoze për të gjithë banorët. "Unë kam propozuar zgjidhjet që do të jenë të drejta dhe të balancuara", i tha Ahtisaari Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
"Propozimi im për zgjidhjen fokusohet fuqishëm në në mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Ai ofron baza për një Kosovë demokratike dhe shumëetnike, në të cilën të drejtat dhe interesat e të gjitha bashkësive do të mbrohen dhe garantohen nga institucionet e mbështetura në sundimin e ligjit", tha Ahtisaari.
"Propozimi gjithashtu parasheh prani të fuqishme civile dhe ushtarake ndërkombëtare në angazhimin e ardhshëm ndërkombëtar në Kosovë", tha Ahtisaari, duke shtuar se përfaqësuesi i ardhshëm ndërkombëtar në Kosovë, që do të jetë i dërguar i posaçëm i BE-së, do të ketë mandatin të mbikqyrë zbatimin e zgjidhjes.
"Qëllimi ynë fundamental ka qenë të krijohen bazat politike, institucionale, ekonomike dhe sociale për një Kosovë, në të cilën të gjitha komunitetet do të mund të bashkëjetojnë në paqe", tha Ahtisaari. Ai tha se më 2 shkurt do t'i paraqesë Prishtinës dhe Beogradit propozimin e tij për statusin.
"Ideja ime është t'i angazhoj të dy palët në një proces konsultativ, të shoh nëse kanë ndonjë ide të re. Por nuk do t'i rinegocioj gjërat që tashmë janë diskutuar. Pas kësaj, do ta finalizoj raportin dhe do t'ia paraqes Këshillit të Sigurimit, ku do të fillojë loja e fundit e vërtetë e këtij procesi", tha Ahtisaari.
Duke theksuar se prej vitit 1999, Këshilli i Evropës ka rol të rëndësishëm në Kosovë, ai tha se organizata edhe më tej do të ketë rol të madh në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Sot Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një rezolutë për Kosovën, në të cilën kërkohet zgjidhja sa më e shpejtë të statusit, si parakusht për zhvillim të plotë të institucioneve dhe konsolidimin e marrëdhënieve fqinjësore në Ballkanin Perëndimor.
XS
SM
MD
LG