Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS KUNDËR AUTONOMISË PËR VERIUN


Rrahman Paçarizi

Përfaqësues të serbëve të Kosovës mendojnë se shpallja e autonomisë për veriun e Kosovës, në rast se serbët do të jenë të pakënaqur nga propozimi i Ahtisaarit për statusin e Kosovës, nuk do të ishte punë e mençur, por duhet të kërkohen zgjidhje përmes decentralizimit për ruajtjen e interesave të serbëve në Kosovë. Ata i kanë bërë këto deklarata pas pohimeve për mundësinë e shpalljes së autonomisë për veriun, në rast se Kosova do të bëhet e pavarur. Kryetari i Këshillit Nacional serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, tha se në qoftë se përmbajtja e propozimit të të dërguarit të posaçëm Marti Ahtisaari për statusin, do të jetë e pafavorshme për serbët, nuk ka absolutisht asnjë mundësi që serbët nga veriu i Kosovës ta shpallin autonominë.
“Nuk ka mundësi që serbët në veri ta shpallin autonominë e tyre, pasi serbët nuk jetojnë vetëm në pjesën veriore, por edhe në brendi të Kosovës”, tha Milan Ivanoviq, duke qenë i bindur se megjithatë do të gjendet një zgjidhje, e cila do të mbrojë edhe interesat e serbëve edhe interesat e shqiptarëve.
Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb për Kosovën qendrore, Rada Trajkoviq, thotë se për lidershipin politik serb të Kosovës dhe për lidershipin në Beograd, nuk është i panjohur fakti se disa qendra janë të gatshme ose kanë vision për separatizëm të pjesës veriore. Ajo thotë se ekziston një separatizëm i dyfishtë, ai i shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës dhe ai i linjave ekstreme të serbëve për veriun e Kosovës.
“Unë mendoj se njerëzit përgjegjës nuk do ta mbështesin idenë e tillë, pasi me autonominë e veriut do të pamundësohej ekzistenca e serbëve në jug të Ibrit dhe do të pamundësohej kthimi i të zhvendosurve”, tha zonja Trajkoviq. Ajo tha se ky do të ishte projekt i ngushtë nacional.
Anëtari i Ekipit Negociues të Serbisë, Goran Bogdanoviq, mendon se çfarëdo që të jetë raporti i Ahtisaarit, veriu i Kosovës nuk do të duhej ta shpallte autonominë, për shkak se edhe në jug të Ibrit jetojnë serbë.
“Nuk do të ishte mirë të ndodhte një reaksion i tillë”, tha Bogdanoviq, duke kërkuar që të merret parasysh fakti se kudo që jetojnë serbët, procesi i decentralizimit duhet të sigurojë pushtetin lokal, gjyqësinë, policinë dhe lidhjet me Beogradin, kështu që nuk do të ketë arsye për ndërmarrjen e veprimeve si shpallja e autonomisë për pjesën veriore.
XS
SM
MD
LG