Ndërlidhjet

UNOSEK-U NUK PRET VONESA TË REJA NË PROCESIN E STATUSIT


Zijadin Gashi

Para datës 2 shkurt, kur emisari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, do t’u prezantojë palëve pakon e tij për statusin e Kosovës, nuk mund të dihen detajet e vazhdimit të procesit të statusit, thonë zyrtarë nga UNOSEK-u në Vjenë. Zëdhënësi i Zyrës së Ahtisaarit në Vjenë, Remi Dourlot, tha sot se nuk mund të parashikohen hapat e ardhshëm, kurse ajo që tashmë dihet është se si Prishtina ashtu edhe Beogradi, do të mund t’i japin komentet e tyre për propozimin e Ahtisaarit pas datës 2 shkurt.
“Ajo që do të kemi pas 2 shkurtit quhet periudhë e angazhimit, në të cilën ne do të jemi të gatshëm t’i pranojmë komentet e palëve lidhur me propozimin e Ahtisaarit, por si dhe në çfarë formati, kjo është herët të thuhet tash”, tha zëdhënësi Dourlot. Paraprakisht, zëdhënësi i UNOSEK-ut tha se pakoja e Ahtisaarit do t’u dorëzohet nesër në Vjenë përfaqësuesve të vendeve të Grupit të Kontaktit, gjatë një takimi që do të mbahet në nivelin e drejtorëve politikë. Zyrtari i UNOSEK-ut tha po ashtu se nuk mund të parashikohet tani nëse Ahtisaari do të zhvillojë takime të ndara me Prishtinën në njërën anë dhe me Beogradin në anën tjetër, apo ai do të kërkojë që të ketë dhe një raund të ri bisedimesh të drejtpërdrejta me të dyja palët. Sidoqoftë, Dourlot tha se nuk pret që procesi të shtyhet më dhe nuk pret vonesa të reja në zvarritjen e dërgimit të propozimit final të Ahtisaarit për në Këshillin e Sigurimit.
“Është shumë herët që të thuhet se sa kohë do të marrë kjo fazë, por nuk duhet të zgjasë shumë dhe nuk duhet të ketë më vonesa tjera”, ka pohuar Dourlot. Pas dorëzimit të propozimit të tij te palët në bisedime, Ahtisaari pret që t’i ketë dhe përgjigjet apo komentet, vërejtjet dhe sugjerimet nga të dyja palët, para se ai t’ia drejtojë propozimin e tij final për statusin e Kosovës, sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.


XS
SM
MD
LG