Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINA E ZHGËNJYER ME REZOLUTËN E KËSHILLIT TË EVROPËS


Albana Isufi

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka mbetur i zhgënjyer nga miratimi i rezolutës së Këshillit të Evropës, nga e cila rezolutë është hequr paragrafi ku mbështetej pavarësia e Kosovës.
Ai ka thënë se është zhgënjyes po ashtu kujdesi i vazhdueshëm i evropianëve për të qenë neutral në këto momente vendimtare për Kosovën.
“Nuk ishte një mesazh i mirë, një sinjal i mirë. Prapë u dëshmua se Evropës i mungon guxim e kurajë në marrjen e vendimeve, qofshin ato edhe të vështira. Por, besoj se ka pasur edhe përpjekje që të mos predikohet në kohën kur tani Ahtisaari pret të japë propozimin e vet, që të mos ketë nguti. Por sidoqoftë, kjo është zhgënjyese për neve dhe presim që në momentin vendimtar, kur duhet të mbështetet konkretisht pavarësia e Kosovës, Evropa të jetë unike dhe ta mbështesë pavarësinë, ta mbështesë të drejtën”, tha Çeku.
Por, kryeministri Çeku pret që pakoja e emisarit për statusin, Marti Ahtisaari, të mos jetë zhgënjyese, pavarësisht se Ahtisaari ka thënë para Këshillit të Evropës që propozimi për statusin përmban një zgjidhje të balancuar për të gjitha palët.
“Shpeshherë e ka thënë dhe e ka lënë të kuptohet. Unë shpresoj se Ahtisaari do të propozojë pavarësinë për status të Kosovës dhe do të propozojë mekanizma dhe procedura shumë konkrete që do t’i garantojnë të gjitha të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kështu që pas asaj që ai do të propozojë, komuniteti pakicë, në radhë të parë ai serb, nuk do të ketë arsye që ta refuzojë apo që të refuzojë të jetojë në Kosovën e pavarur”, tha Çeku.
Ndërkohë, kryeministri ka paralajmëruar se pala kosovare do të shprehë pakënaqësinë nëse në pako ka pika me të cilat nuk pajtohet. Çeku ka thënë se janë prania e ardhshme ndërkombëtare dhe çështja e sigurisë, fushat të cilat nuk janë diskutuar me Ahtisaarin.
“Pa dyshim që ne do të kemi vërejtjet dhe komentet tona, dhe do ta shprehim pakënaqësinë tonë, nëse kjo prezencë është e rëndë dhe nëse propozimi i tij nuk mbështet kërkesat apo qëndrimet tona”, tha Çeku.
Të gjitha këto komente, kryeministri Çeku i ka bërë pas takimit të rregullt me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker. Ruecker beson në propozim të duhur të Ahtisaarit.
“Pas një viti negociatash duke ditur pozicionet e palëve, unë kam besim të plotë në gjykimin e Ahtisaarit për propozimin për statusin”, tha Ruecker.
Të pyetur nëse presin eskalim të situatës pas paraqitjes së pakos për statusin, Ruecker dhe Çeku e kanë mohuar si mundësi, duke thënë se qartësimi i statusit do të jetë në interes të të gjithë komuniteteve të Kosovës.
I dërguari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari, javën e ardhshme, përkatësisht pasditen e 2 shkurtit do t’ia paraqesë palës kosovare propozimin për statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG