Ndërlidhjet

logo-print

ZHAGITJET NË NJOHJEN E KOSOVËS MUND TË NXISIN GJAKDERDHJE


Jonathan Steele / The Guardian

A ju kujtohet Kosova, e cila pat nxitur fushatën e parë ajrore të NATO-s në historinë e saj 50 vjeçare? Epo, kanë kaluar pothuajse tetë vjetë që kur bombarduesit amerikanë dhe britanikë u vërsulën në Beograd dhe problemi i Kosovës çuditërisht vazhdon të jetë ende i pazgjidhur. Puna e deritashme e zotit Ahtisaari mund të mos sjellë rezultate, nëse Evropa dhe Shtetet e Bashkuara nuk e ndryshojnë në mënyrë radikale qasjen e tyre. Për tetë vite me rradhë, një numër i jashtëzakonshëm ekspertësh, institucionesh dhe diplomatësh të lartë perëndimorë, kanë argumentuar se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte një pavarësi e kushtëzuar. Por, propozimi që do të shkojë në Këshillin e Sigurimit duket se do të shmangë fjalën pavarësi dhe do të përqëndrohet më shumë në çështjet e rëndomta teknike. Problemi megjithatë qëndron në faktin se çfarë do të ndodhë me pakon pastaj. Është menduar se pas emërimit të një burreshtetasi për ta studiuar një çështje, për të zhvilluar një diplomaci komplekse dhe për të hartuar një kompromis, procesi do të përmbyllet me zbatimin e tij. Por, kjo nuk është duke ndodhur. Grupi i Kontaktit ka vendosur që të mbahet edhe një raund konsultimesh dhe diplomati britanik John Sawers ishte në Prishtinë për ta dhënë këtë lajm. Një gjë e këtillë, shkruan gazeta, mund të jetë fatale, sepse serbët njihen si mjeshtër të vonesave. Por, pse atëherë Perëndimit i mungon guximi? Ekzistojnë tri arsye. E para ka të bëjë me ndjenjën e fajësisë në periudhën e pas bombardimeve. Pas luftës me Serbinë, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian tani janë duke u munduar ta trimërojnë Serbinë në të gjitha frontet. Faktori i dytë është iluzioni i Perëndimit se Serbia është e ndarë në “nacionalistë” dhe “pro-evropianë”. Këtyre të fundit, Perëndimi i kushton kujdes të madh, veçanërisht zërave që thërrasin për “ndihmë dhe mbrojtje nga forcat radikale” dhe të cilat thonë se “nuk është koha për koncesione”. Zgjedhjet e së dielës së kaluar e kanë goditur rëndë këtë mashtrim. Në bllokun demokratik ka ndodhur vetëm ajo që njihet si rishpërndarje e votave midis partive në garë. Në këtë kuadër, Partia Demokratike e presidentit Tadiq ka dalë më së miri, kryesisht për faktin se ka dëshmuar se vazhdon të jetë nacionalist i mirë, duke e mbështetur vitin e kaluar Kushtetutën, e cila thotë se Kosova nuk mund të ndahet nga Serbia. Dhe arsyeja e tretë ka të bëjë me shqetësimin rreth vetos ruse në Këshillin e Sigurimit. Diplomatët thonë se bisedimet e reja synojnë t’i dëshmojnë Moskës se është bërë edhe një përpjekje, por roli i Rusisë në përgjithësi është ekzagjeruar në këtë çështje. Në propozimet modeste të zotit Ahtisaari, Kombet e Bashkuara nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo cështje do të jetë vendim individual i secilit shtet, pavarësisht nga vota e rusëve. Shumëçka do të varet edhe nga Bashkimi Evropian, i cili në takimin e muajit të ardhshëm të ministrave të jashtëm mund ta shpëtojë situatën, duke përkrahur Ahtisaarin dhe duke thënë se do ta njohë Kosovën, pavarësisht nga veprimet e Rusisë. Si kryesuese e rradhës, Gjermania ka shansin ta dëshmojë lidershipin e saj. Shumë evropianë e kanë akuzuar Gjermaninë se ka ndihmuar në nxitjen e luftërave në Ballkan gjatë viteve të 90’ta me njohjen e ngutshme që ia ka bërë Kroacisë. Do të ishte ironike tani nëse Gjermania vendos të shpaguhet, duke e vonuar njohjen e Kosovës dhe kësisoji do të ndihmonte sërish në nxitjen e dhunës në Ballkan. Përderisa nacionalistët serbë nuk e shohin se loja është humbur dhe ka marrë fund, ata nuk do të margjinalizohen kurrë. Vetëm atëherë, serbët mund të bëhen të tillë çfarë i do BE-ja, evropianë modernë.
XS
SM
MD
LG