Ndërlidhjet

VJENË


I dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisari sot ua paraqiti anëtarëve të Grupit të Kontaktit e propozimin e tij për statusin e Kosovës. Pas takimit, Ahtisaari deklaroi se kjo ishte një mbledhje e rregullt, ndërkaq zëvendësi i tij Albert Rohan tha se takimi ishte shumë i mirë dhe pozitiv.
Ndërkaq një diplomat perëndimor tha se Rusia dëshiron që çdo vendim për të ardhmen e Kosovës të shtyhet deri pas formimit të qeverisë së re të Serbisë.
"Takimi ishte shumë i vështirë. Rusët janë shumë skeptikë rreth planit", e transmeton Reuters diplomatin perëndimor. "Asnjëherë nuk e kam parë pesëshen të jetë aq shumë unike", ka thënë ai, duke aluduar në Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.
Sipas burimeve të agjencisë Reuters, plani i Ahtisaarit nuk e përmend sovranitetin e Serbisë në Kosovë, ndërsa serbëve të Kosovës u jep autonomi të konsiderueshme.
Ndërkaq Associated Press njofton se me planin e Ahtisaarit, Kosova do të fitojë disa atribute të shtetit të pavarur, siç është hyrja në institucionet ndërkombëtare dhe forcat e armatosura, por shton se në propozim nuk përmendet fjala pavarësi.
Takimi që sot u mbajt në pallatin Hofburg në Vjenë, ishte i mbyllur dhe ka zgjatur rreth 90 minuta. Vendet e Grupit të Kontaktit u përfaqësuan nga drejtorët politikë të ministrive të jashtme.
Përmbajtja e propozimit të Martti Ahtisaarit nuk do të bëhet publike deri më 2 shkurt, kur parashihet që propozimi t'i dorëzohet Prishtinës dhe Beogradit.
XS
SM
MD
LG