Ndërlidhjet

logo-print

MALIQI: KOSOVA PO SHKON PASHMANGSHËM KAH PAVARËSIA


Shkelzen MALIQI, analist nga Prishtina

Radio Evropa e Lirë
Zoti Maliqi, si i vlerësoni zhvillimet lidhur me këtë fazë të përcaktimit të statusit, pasi kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin, ka paraqitur dje para Grupit të Kontaktit pakon e propozimit të tij?

Shkëlzen Maliqi
Po, mendoj se tash procesi sërish po vjen në binarë dhe nuk do të ketë më vonesa sa u përket shteteve kyçe që e shtyjnë përpara procesin. Ato kërkojnë që të shkohet tutje, Mendoj se Rusia sërish ndoshta do të bëjë përpjekje për obstruksion, por a do të ketë rezultat a jo, nuk pres që në këtë fazë të jenë efektive, ndoshta pak më vonë kur të shpaloset e tërë përmbajtja e propozimit të Ahtisaarit.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Maliqi, sa ofron ky propozim, së paku në nivelin që dihet për të, sa ofron për Kosovën dhe sa ofron për serbët e Kosovës?

Shkëlzen Maliqi
Po, deri më tash, me sa dimë, prej këtyre përmbajtjeve që janë bërë publike, dihet karakteri do të ketë misioni i ri që do të zëvendësoj Kombet e Bashkuara, do të jetë m,mision i Bashkimit Evropian, kështu është projekti. Një pako tjetër më e rëndësishme,q ë do të hapet më 2 shkurt besoj, është ajo e zgjidhje së statusit të serbëve në Kosovë, domethënë është pakoja e minoriteteve, ku do të jenë të propozuara, apo do të jetë një set i zgjidhjeve që duhet të kënaqë deri diku palën serbe. Unë besoj se ata s’mbeten të pakënaqur, kurse pakoja e tretë, sipas të gjitha gjasave nuk do të hapet ende dhe kjo është ajo pakoja e statusit final, e cila tash e konsideroj si një të drejtë te rezervuar të Ahtisarit, Grupit të Kontaktit dhe Fuqive të Mëdha. Unë vërtet mendoj se i tërë procesi do të shkojë drejt pavarësisë së mbikëqyrur.

Radio Evropa e Lirë
Nisur nga njoftimet jozyrtare që janë dhënë lidhur me propozimin e Ahtisaarit, çfarë mund të pritet më tej si proces?

Shkëlzen Maliqi
Dy faktorë janë kyçë në këtë moment, reagimi i të cilëve mund të bllokojë ose vështirësojë realizimin e këtij plani, pra është vetë Serbia – ajo mund ta refuzojë pakon e dytë, atë të minoriteteve, edhe pse do ta vërë veten në pozitë të vështirë, si Milosheviqi pas Rambujesë, kurse pakoja e tretë, po kështu do të jetë problematike. Aty Serbia vetë nuk mund të bëjë shumë, por mund të bëjë Rusia, meqë paralajmëron veton ose mosvotimin në Këshillin e Sigurimit. Rusia po kështu e ka kushtëzuar që nga pakoja të hiqet fjala pavarësi, por me sa di unë ka ndodhur edhe diçka tjetër- është hequr ai formulimi famëkeq i rezolutës 1244, ku thuhet se Kosova është pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe ky është një përparim shumë i madh, që në esencë mundëson pavarësimin e Kosovës pak më gradual dhe jo ashtu siç presim ne menjëherë, me një hap, por besoj që procesi si i tillë çon pashmangshëm drejt instalimit të një shteti të ri.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Maliqi, kur e përmendët qëndrimin e Serbisë, kryeministri aktual i Serbisë ka deklaruar se nuk do ta presë Ahtisaarin, për të marrë propozimin e tij më 2 shkurt. Çfarë efektesh do të prodhojë një veprim i tillë?

Shkëlzen Maliqi
Ai është arsyetuar me faktin se qeveria e tij është në dorëheqje dhe nuk ka mandat të negociojë. Është një lojë që më shumë e shoh si taktike- nuk do ta marrë mbi vete përgjegjësinë, ua lë atë Tadiqit ose instancave të tjera. Mendoj se me rëndësi është që pakoja ose propozimi t’i dorëzohet Beogradit e kush do ta pranojë nuk ka shumë rëndësi. Koshtunica sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë kryeministër i ardhshëm i Serbisë, pasi ka edhe variante të tjera, pasi partia e tij nuk e zë ndonjë pozitë të spikatur në spektrin e partive, por sidoqoftë Serbia është para një shok terapie, ose do ta pranojë një pako ose të sillet si në kohën e Milosheviqit, duke refuzuar jo vetëm propozimet por edhe bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi. Madje, nuk besoj se as Rusia do të jetë plotësisht në krahun e saj.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Maliqi, kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha dje se propozimi mund të ketë elemente që mund të mos jenë të dëshirueshme, por do të jetë pako e pranueshme. Si do të pranohet përgjithësisht një propozim i mbështetur në parametrat që dihen deri më tash?

Shkëlzen Maliqi
Elemente të pakënaqësisë mund të jetë shtimi i numrit të komunave serbe në baza etnike dhe zonat e mbrojtura rreth manastireve dhe disa privilegje të tjera që mund të kenë serbët në organizimin horizontal në lidhjet ndërmjet këtyre komunave dhe disa instrumente të bashkëpunimit të tyre direkt ose indirekt me Serbinë. Këto janë elemente që për këtë moment mund të duken brengosëse, por në esencë duhet të shikohen mirë e mirë kompetencat që do të kenë këto entitete të reja, këto struktura ose këto instrumente. Unë besoj se meqë ato njësi të reja të them politike që po krijohen në Kosovë, ose komunat, nuk do të kenë kompetencat e shteteve, nuk janë as krahina autonome, nuk kanë as elementet qenësore të shtetësisë, nuk do të brengosesha aq shumë. Them, se gjithmonë mbetet problem pjesa veriore e Kosovës, domethënë Mitrovica veriore, ato dy komunat ku janë edhe etnikisht të pastra, ku mund të ketë më shumë vështirësi që këto pjesë të integrohen në plotni në tërësinë e Kosovës, por meqë kemi instrumentin garantues të bashkësisë ndërkombëtare, ai nuk do të garantojë vetëm realizimin e të drejtave të serbëve, por do të garantojë edhe realizimin e pjesës tjetër të marrëveshjes që serbët të integrohen në institucionet e Kosovës dhe në këtë aspekt duhet të shikohet kjo marrëveshje si pozitive, pasi ne kështu vetë me serbët nuk mund të merremi vesh, por nëse kemi këtu faktorin ndërkombëtar i cili do të punojë në relaksimin e raporteve apo në bindjen e serbëve që kanë perspektivë në Kosovë, pse jo, kjo mund të na ndihmojë që të kemi një Kosovë, shtetin e Kosovës si tërësi.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG