Ndërlidhjet

QEVERIA FTON QYTETARËT PËR VETËPËRMBAJTJE


Zijadin Gashi

Qeveria e Kosovës shprehet e shqetësuar pas paralajmërimeve për protesta e shprehje pakënaqësie me propozimin e Martti Ahtisaarit, ngaqë beson se pakoja e Ahtisaarit do të jetë pozitive dhe do t’i vë bazat e shtetit të Kosovës. Zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Ulpiana Lama, tha sot se kryeministri Agim Çeku tashmë ka shprehur bindjen e tij se pakoja e Ahtisaarit do t’i hapë Kosovës perspektivën për shtetin e Kosovës, duke ditur se Ahtisaari në dokumentin e tij ka marrë për bazë parimet e Grupit të Kontaktit, të cilat kërkojnë që statusi i Kosovës të respektojë vullnetin e popullatës shumicë, pastaj që ky status të mos e kthejë Kosovën në gjendjen e para vitit 1999, për mosndarjen e Kosovës dhe mosbashkimin e saj me ndonjë vend fqinj.
“Ky dokument do të jetë pozitiv për ne dhe do të hapë perspektivën, horizontin për krijimin e shtetit të Kosovës. Ku i kemi sinjalet pozitive? Së pari, sepse Ahtisaari është në një mandat të qartë dhe së dyti, ky përfundim do të shënojë njohjen formale juridike të statusit të Kosovës”, tha Lama.
Zëdhënësja, Ulpiana Lama vlerëson se paralajmërimet për protesta janë mjaft shqetësuese. Lëvizja Vetëvendosje si edhe shoqatat e dala nga lufta e ish-UÇK-së, tashmë kanë paralajmëruar shprehjen e pakënaqësive dhe protesta. Duke e cituar kryeministrin e Kosovës, zëdhënësja Lama thotë se Kosovës nuk i duhet një gjendje jostabile në këtë fazë kur po vendoset për statusin e saj.
“Janë shqetësuese. Kryeministri u ka bërë sot thirrje qytetarëve që të frenohen nga çfarëdo lloj sjelljeje që mund ta komprometonte gjithë këtë proces. Për ne është shumë e rëndësishme dhe ajo që duhet tashti, është ruajtja e qetësisë. Dokumenti do të jetë i favorshëm për ne dhe ky është mandat i marrë për t’i dhënë Kosovës statusin e saj. Ky status do të jetë shteti i Kosovës, kështu që nuk ka absolutisht asnjë lloj arsye që të komprometohet ky proces, tashti”, theksoi Lama.
Me qëllim të mbajtjes së gjendjes stabile, policia dhe KFOR-i tashmë janë deklaruar se kanë ngritur shkallën e sigurisë në nivelin më të lartë për të garantuar që faza e ardhshme e definimit të statusit të mos reflektojë në destabilizimin e Kosovës. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se organet e rendit kanë planet e tyre të përgatitura dhe do t’i zbatojnë ato varësisht nevojave që do të paraqiten ndërkohë.
“Sa u përket ditëve në vijim kur do të bëhet publik edhe plani i Ahtisaarit, ne i kemi planet tona të përgatitura, të cilat do të zbatohen varësisht zhvillimit të situatës. Është normale që këto ditë t’i kemi brengat e ndryshme nga qytetarët sepse është duke u biseduar për statusin e Kosovës. Ne i kuptojmë ato dhe ne e respektojmë të drejtën e fjalës së lirë, e respektojmë të drejtën e protestës, demonstratës apo manifestimit, pavarësisht a është ajo për kënaqësi apo për pakënaqësi. E ne do të jemi këtu që të bëhemi të sigurtë që ligji dhe rendi do të mbizotërojnë”, u shpreh Elshani.
Ndryshe, Ekipi Negociues pret që ta ketë në duart e veta pakon e Ahtisaarit për statusin më 2 shkurt, kur emisari i Kombeve të Bashkuara për statusin do të vijë në Prishtinë. Tashmë, Ekipi Negociues ka miratuar një kornizë të veprimeve të cilat Prishtina duhet t’i ndërmarrë nga dita e shpalljes së pakos së Ahtisaarit, ku ndër të tjera hyjnë dhe Kushtetuta, simbolet e Kosovës si dhe shpallja e zgjedhjeve të lira. Të gjitha këto dokumente e veprime është thënë se do të duhet të jenë në harmoni me dokumentin e Ahtisaarit.

XS
SM
MD
LG