Ndërlidhjet

EKONOMISTËT PRESIN RIMËKËMBJE EKONOMIKE PAS PUBLIKIMIT TË PAKOS PËR STATUSIN


Nadie Ahmeti

Ekspertë vendorë për çështje ekonomike, besojnë se pas publikimit të pakos së zotit Martti Ahtisaari, Kosova do të ketë qasje të drejtëpërdrejtë në institucionet financiare ndërkombëtare. Eksperti Isa Mustafa, tha se vetëm atëherë Kosova do të mund të sigurojë burime të reja dhe cilësore të financimit, për të cilat ekonomia e Kosovës ka nevojë shumë të madhe.
“Ne shpresojmë se me një qasje sa më cilësore në këto burime, Kosova do të mund të bëjë edhe hapa më të sigurtë në një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik, dhe në zgjidhjen e problemeve më akute të cilat sot e rëndojnë ekonominë e Kosovës”, tha zoti Mustafa.
Pakoja e Ahtisaarit, nga aspekti ekonomik do të sqarojë pozicionin e Kosovës në agjendën ndërkombëtare, tha Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Ai gjithashtu pret që me këtë pako të hapen dyert për projekte konkrete në fushën e ekonomisë.
“Unë shpresoj se pakoja e Ahtisaarit, në pikën ekonomike e trajton Kosovën si shtet të pavarur, i cili ka në subjektivitetin e vet të drejtë të bashkëpunojë me të gjitha vendet dhe mekanizmat ndërkombëtare, për të pasur qëllim avancimin e zhvillimit ekonomik”, tha zoti Beqaj. Por për këtë, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e përgatitur dhe të ketë projekte konkrete.
“Të hapet një pako e tillë, ku kërkohet që qëndrueshmëria politike të mbahet përmes qëndrueshmërisë ekonomike, atëherë duhet që sistemi të përgatitet me projekte konkrete”, tha zoti Beqaj.
Pjesë përbërëse e pakos së Ahtisaarit, Isa Mustafa shpreson se do të jenë edhe borxhet e jashtme dhe fondi i pensionistëve kosovarë, për të cilin thuhet se gjendet në Serbi. Këto çështje kanë qenë temë bisedimesh midis Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar. Në këto bisedime, zoti Mustafa ka qenë pjesëmarrës dhe ai thotë se pala kosovare ka shfaqur gatishmërinë që të marrë përsipër borxhet që i takojnë Kosovës.
“Këtu do të thotë se përfituesi i fundit është Kosova. Ne, te këto nuk kemi bërë vërejtje, meqënse është një parim i përfituesit të fundit i cili është zbatuar në të gjitha republikat tjera të ish-Federatës Jugosllave”, tha zoti Mustafa.
Këshilltari i presidentit të Kosovës, Isa Mustafa, megjithatë tha se Kosova nuk do të pranojë të paguajë borxhe, për periudhën 1990-1999, sepse në atë kohë, sipas tij, Kosova nuk ka qeverisur me asetet e saj.
“Ne kemi thënë se këto borxhe do ti pranojmë në mënyrë të kushtëzuar. Ky kushtëzim nënkupton se ne praktikisht do të bëjmë verifikimin e saktë të shumave. Dhe ne nuk i pranojmë borxhet për periudhën 1990-1999”, tha zoti Mustafa.
Kjo nuk është çështje vetëm e Kosovës dhe e Serbisë, thotë Besim Beqaj. Sipas tij, kjo është një çështje tri ose më shumë palëshe, të cilat duhet të bisedojnë për ndarjen e obligimeve që kanë dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
“Do të duhej që institucionet tona qeveritare të jenë shumë më të koncentruara në çështjen e subvencioneve, sepse do të kërkohet nga Kosova t’i kryejë obligimet e veta ndaj mekanizmave financiarë ndërkombëtarë. Atëherë duhet që të negociohet dhe të bëhet ndarja e pasurisë, respektivisht ndarja e obligimeve që kanë dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë”, theksoi zoti Beqaj.
XS
SM
MD
LG