Ndërlidhjet

logo-print

MË MIRË ME PLAN TË RREZIKSHËM SE PA PLAN FARE


"Financial Times"

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian me të drejtë kanë vendosur që të shtyjnë përpara zgjidhjen e cështjes së Kosovës, kontestin e fundit territorial që ka dalë nga luftërat e Jugosllavisë. Ata planifikojnë që t’ia mundësojnë Kosovës shpalljen e pavarësisë, përkundër kundërshtimit të Serbisë dhe Rusisë. Kjo qasje mund të jetë e rrezikshme, por është e nevojshme. Nëse lihet ashtu siç është, Kosova dhe rajoni përreth mund të hyjnë në një gjendje të përhershme paqartësie. Plani i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, parasheh një shtetësi “de facto” për Kosovën, pa e përmendur fjalën pavarësi. Megjithatë, ekziston një marrëveshje tjetër e veçantë, e cila nuk do të shkojë për miratim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Me këtë marrëveshje, Kosovës do t’i lejohet që të shpallë pavarësinë dhe vendet tjera, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe disa anëtarëve të Bashkimit Evropian, do ta kenë lirinë që të vendosin mbi njohjen e këtij shteti. Synimi i kësaj marrëveshjeje është që Kosova të shpallë pavarësinë e saj pa e detyruar Serbinë që ta njohë atë. Edhe Rusia mund të qëndrojë anash, përderisa e përkrahë bartjen e autoritetit mbikqyrës në Kosovë nga Kombet e Bashkuara tek Bashkimi Evropian. Rreziqet në këtë drejtim janë të shumta. Fillimisht, nëse shqiptarët e shpallin pavarësinë, një gjë të këtillë mund ta bëjnë edhe serbët në veriun e Kosovës, duke rrezikuar kësisoji me ndarje dhe shpërthim dhune. Së dyti, nëse serbët përpiqen të ndahen nga Prishtina, atëherë Beogradi do të mund të futej në këtë konflikt. Dhe në fund, Rusia mund të bllokojë ose të vonojë të paktën Rezolutën e Kombeve të Bashkuara, në bazë të së cilës do të themelohej autoriteti i Bashkimit Evropian në Kosovë. Bashkimi Evropian duhet ta mbajë Serbinë afër, duke ripërtërirë premtimet për bashkëpunim që do të çojnë deri tek anëtarësimi në familjen evropiane. Duke marrë parasyshë ndjenjën armiqësore të serbëve në raport me dorëzimin e Kosovës, do të kalojë një kohë e gjatë përpara se Beogradi do të mund të flasë me Brukselin sërish, por derën e Bashkimit Evropian megjithatë duhet lënë hapur. Për Rusinë ndërkaq, në pyetje është krenaria. Kremlinin e sforcuar kohët e fundit nuk duhet ta shtyjnë në qoshe, por i duhet dhënë disa javë për të marrë në shqyrtim planet. Por, fare në fund, Moska duhet të pranojë se stabiliteti në Ballkan është në interes të të gjithëve, përfshirë këtu edhe Rusinë. Dhe stabiliteti i këtij rajoni varet nga stabiliteti i të gjitha pjesëve të saj përbërëse, pra përfshirë këtu edhe Kosovën.
XS
SM
MD
LG