Ndërlidhjet

logo-print

BILD:”DHUNA DO TË ISHTE E PAPRANUESHME”


Zijadin Gashi

Më 2 shkurt, Martti Ahtisaari do t’u prezantojë Prishtinës dhe Beogradit dokumentin e punës, por jo propozimin final për statusin e Kosovës, ka pohuar sot në Prishtinë, ministri i jashtëm i Suedisë, Karl Bild. Këto komente, Bild i bëri pas takimeve të ndara që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin, Agim Çeku. Ai tha se qëndrimi i Suedisë për statusin e Kosovës, do të jetë në harmoni me qëndrimin që do të marrë Bashkimi Evropian, pasi që Ahtisaari t’i ketë pranuar komentet e Prishtinës e Beogradit lidhur me propozimin e 2 shkurtit.
“Qëndrimi i Suedisë është i njëjtë me pozicionin e vendeve të Bashkimit Evropian. Ne po presim dokumentin e Ahtisaarit, të cilin do ta marrim më 2 shkurt, kur do t’u dorëzohet dhe Prishtinës e Beogradit, dhe më pas t’i dëgjojmë pikëpamjet e palëve”, ka pohuar diplomati suedez. “Analizat dhe diskutimet rreth pakos së Ahtisaarit do të marrin një kohë të caktuar dhe Prishtina e Beogradi duhet të krijojnë një frymë kompromisi për këtë”, tha Karl Bild, duke shtuar se periudha e bisedimeve pas 2 shkurtit nuk do të jetë e lehtë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.
“Dokumenti i punës që do t’u prezantohet nga presidenti Ahtisaari palëve të premten, do të shënojë fillimin e dialogut të ri për këtë propozim, dialog ky që do të bartet më pas në Këshillin e Sigurimit, ku do të merret vendimi”, pohoi Karl Bild. Për detajet tjera, ai tha se i takon Martti Ahtisaarit që t’i përcaktojë deri në finalizimin e procesit.
Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se ky proces po hyn në fazën finale e cila do të përmbyllet me pavarësinë e Kosovës.
“Duke shtruar nevojën që ky proces, tash që është në vigjilje të hapjes së pakos së presidentit Ahtisaari më 2 shkurt, pra pas dy ditësh, të ecë shumë shpejt dhe natyrisht të përfundojë me finalen e vet të mirë, me pavarësimin e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare“, tha presidenti Sejdiu. Ndërkaq, kryeministri Agim Çeku pas takimit me diplomatin suedez, tha se nuk sheh më asnjë arsye që procesi i vendimmarrjes për statusin të shtyhet. Sapo Ahtisaari t’i dëgjojë komentet e Prishtinës e Beogradit, ai duhet që pa zvarritje pakon e tij për pavarësinë e Kosovës t’ia drejtojë Këshillit të Sigurimit, tha Çeku.
“Ne mendojmë se procesi tani duhet të zhvillohet në dinamikën e paraparë dhe çdo shtyrje do të ishte e papranueshme, e paarsyeshme dhe e panevojshme“, theksoi Çeku.
Diplomati suedez është pritur edhe nga përfaqësues tjerë vendorë si dhe nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker. Kryeadministratori Ruecker tha se e kishte njoftuar atë me shqetësimet e Kosovës në këtë fazë të pritjes së pakos për statusin, si dhe kishte prezantuar pikëpamjet e tij lidhur me tranzicionin.
“Natyrisht që ne së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e Kosovës do të vazhdojmë me planifikimin për tranzicionin, që nënkupton kalimin e kompetencave nga UNMIK-u te autoritetet lokale pas fazës së definimit të statusit”, tha Ruecker.
Ndërkaq, diplomati suedez tha se pret që pas 2 shkurtit të ketë një diskutim publik për dokumentin e Ahtisaarit, si në Prishtinë ashtu dhe në Beograd.
“Nuk pres biseda miqësore dhe ndonjë ceremoni me përqafime dhe nënshkrime. Por, për ne çfarëdo dhune do të ishte e papranueshme”, tha shefi i diplomacisë suedeze.

XS
SM
MD
LG