Ndërlidhjet

PERIUDHA E KOMENTEVE MBI PAKON E STATUSIT FILLON TË PREMTËN


Arbana Vidishiqi


I dërguari i kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari, nesër në mëngjes do të vizitojë fillimisht Beogradin për t’u takuar me presidentin serb, Boris Tadiq dhe pasdite do të qëndrojë në Prishtinë, për të zhvilluar takime me Grupin Negociator për statusin e Kosovës. Zëdhënësi i zotit Ahtisaari, Remi Dourlot, tha se është e qartë se gjatë takimeve të ditës së nesërme, nuk mund të priten komente dhe përgjigje të hollësishme. ”Por, gjithashtu është e qartë se periudha gjatë së cilës ne do të jemi në pritje të komenteve dhe pyetjeve të të dyja palëve fillon menjëherë pas këtyre takimeve”, tha zoti Dourlot. Ai nuk dha ndonjë datë të saktë se deri kur do të mund të zgjasë kjo periudhë komentesh dhe reagimesh, por sqaroi se zoti Ahtisaari do të jetë kundër vonesave artificiale. “Prandaj, do të thosha se e gjithë periudha e angazhimit të ndërsjelltë, përfshirë këtu edhe diskutimet e mundshme, raundin e mundshëm të bisedimeve midis të dyja palëve nëse ato duan, do ta marrë një pjesë të madhe të muajit shkurt”, ka thënë zoti Dourlot. Në Prishtinë, Grupi Negociator ka premtuar transparencë lidhur me pëmbajtjen e pakos së zotit Martti Ahtisaari, ndërkohë që ka shprehur bindjen se kjo përmbajtje do t’i hapë rrugën, siç është, zyrtarizimit të shtetit të Kosovës. Udhëheqësit vendorë dhe ata ndërkombëtarë ditët e fundit kanë bërë thirrje të vazhdueshme kundër çdo akti të dhunshëm që do të mund të përshkallëzonte situatën, ndonëse kanë sqaruar se nuk ka asnjë indikacion për diçka të këtillë. Autoritet e rendit ndërkaq tashmë kanë filluar të zbatojnë planin operativ “Siguria e Rreptë”, duke shtuar masat e sigurisë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë përcaktimit të statusit.
XS
SM
MD
LG