Ndërlidhjet

KOSOVA KA LINJIT EDHE PËR 100 VITET E ARDHSHME


Nadie Ahmeti

Burimet energjetike janë pasuria më e madhe e Kosovës, ndërkaq rezervat industriale të linjitit arrijnë deri në 14 miliardë tonelata. Këto rezerva e kanë radhitur Kosovën në vendin e tretë në Evropë, thotë Lorik Haxhiu nga Ministria e Energjisë dhe Minierave. Sipas tij, Kosova do të ketë linjit të mjaftueshëm edhe për më shumë se 100 vitet e ardhshme. Vetëm Fusha e Sibovcit, e cila gjendet afër Prishtinës, ka 830 milionë tonelata linjit, tha zoti Haxhiu, për të shtuar se kjo është vetëm një e dhjeta e pasurisë. Rezervat tjera gjenden edhe në rrafshin e Drenicës dhe të Dukagjinit.
“Fakt është se Kosova ka rezerva të mjaftueshme për të furnizuar popullatën vendore. Nuk po flas për 20-30 vitet e ardhshme, por për një shekull apo dy. Nëse shkojmë në mënyrë statistikore, Gjermania ka 47 miliardë tonelata, Polonia 15 miliardë tonelata, ndërkaq Kosova ka 14 miliardë tonelata. Pra, sipas krahasimit statistikor, Kosova zë vendin e tretë në Evropë sa i përket rezervave të linjitit”, tha zoti Haxhiu.
Duke marrë parasysh faktin se shumë vende ballkanike vuajnë nga mungesa e energjisë elektrike, Lorik Haxhiu thotë se linjiti i Kosovës është shumë joshës për investitorët e huaj. Me ndërtimin e termocentralit të ri Kosova C, Haxhiu thotë se Kosova do ta ketë më lehtë që të eksportojë rrymë në vendet e rajonit. “Resurset apo rezervat e linjitit në Kosovë janë shumë joshëse për investitorët për të ndërtuar një termocentral, duke marrë parasysh kërkesën vendore dhe atë rajonale. Vlen të cekët se nga mesi i viteve të 80-ta në ish-Jugosllavi, nuk është ndërtuar asnjë termocentral i ri, pra ka mungesë të kapaciteteve gjeneruese; mund të themi se deri në 10 mijë megavat mungon në Evropën juglindore”, tha Haxhiu.
Por, me një konstatim të tillë nuk pajtohet eksperti i gjeologjisë, akademiku Minir Dushi. Sipas tij, nëse Kosova bëhet epiqendër e prodhimit të energjisë elektrike për rajonin, atëherë pasojat do të jenë shumë të mëdha. Rezervat e linjitit, thotë zoti Dushi, në rend të parë duhet të shfrytëzohen për konsum vendor.
“Ne së pari duhet të kemi rrymë për vete, për industrinë tonë që t’i tërheqim investitorët e huaj. Në Kosovë nuk mund të bëhet një “varr i madh” nga shfrytëzimi i linjitit, deponitë e hirit, sepse këtu më nuk do ketë jetë“, tha akademiku Dushi. Ai po ashtu, pohon se rezervat e këtij burimi në Kosovë duhet të shfrytëzohen në suaza të lejueshme, dhe kjo sipas tij duhet të llogaritet me metoda shkencore. “Suazat e lejueshme janë ato të cilat garantojnë racionalitet të shfrytëzimit, mjedis të sigurtë pa ndotje, e pastaj edhe leverdi ekonomike”, tha zoti Dushi.
Sipas një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian, gjatë 15-20 viteve të ardhshme, Ballkani do të ketë mungesë të energjisë elektrike deri në 20 mijë megavat orë energji. Ministria e Energjisë tashmë ka bërë publike kompanitë kualifikuese për garën e mëtutjeshme në ndërtimin e termocentralit Kosova C, dhe për rehabilitimin e njësive të vjetra. Ky projekt do të fillojë të zbatohet në vitin 2009 dhe do të përfundojë në vitin 2013.

XS
SM
MD
LG