Ndërlidhjet

logo-print

LANI:"PLANI I AHTISARIT I HAPË RRUGËN PAVARËSISË"


Remzi LANI, Drejtor i Institutit të Mediave /Tiranë/

RADIO EVROPA E LIRË
Disa hollësi të planit të Ahtisarit për Kosvën janë bërë të ditura. Si e vlerësoni ju atë?

REMZI LANI
Ndonëse plani nuk është zbuluar i tëri, hollësitë e tij nuk janë më sekret, ato janë cituar nga shtypi, duke përfshirë shtypin shqiptar, në Tiranë dhe në Prishtinë. Plani i Ahtisarit nuk ofron pozicionin ideal që mund të ëndërronin shqiptarët, por mendoj se është një plan i mirë. Dhe nëse jemi realistë është shumë e rëndësishme që plani Ahtisari parashikon shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Pra sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën merr fund, rezoluta 12 - 44 pas publikimit të planit dhe pas vajtjes në Këshillin e Sigurimit, nuk do të jetë më e vlefshme dhe mendoj se ky është një hap i rëndësishëm. Plani Ahtisati nuk është se ofron pavarësinë nesër, por hap rrugën drejt një proçesi që relativisht shpejt do të çojë te pavarësia.

RADIO EVROPA E LIRË
Opinione mbi çështjen, kanë thënë se plani Ahtisari hap rrugën drejt pavarësisë së Kosovës, të tjerë janë më skeptikë. Si i komentoni ju këto reagime?

RADIO EVROPA E LIRË
Është normale që të ketë reagime, pasi në fund, askush nuk do të mbetet plotësisht i kënaqur. Por mendoj se shqiptarët kanë më shumë arsye të jenë të kënaqur, natyrisht jo plotësisht, por të kënaqur për arsyen se Kosova shkëputet nga Serbia, nisur nga ky plan. Është e qartë që plani Ahtisari parashikon disa kushte të cilave unë mendoj se shqiptarët nuk kanë pse t'u tremben, aq më tepër që nuk janë kushte që i vendos Serbia por komuniteti ndërkombëtar, mes tyre ata që çliruan Kosovën në 1999-ën. Është e qartë gjithashtu që skeptikët kanë argumenta për arsye se proçesi i decentralizimit për ta është një proçes që ka shkuar ndoshta deri në ekstrem dhe rrezikon që Kosova të jetë një shtet i pavarur, por jo një shtet shumë funksional. Pra mendoj se të dyja palët kanë argumente e kanë të drejtë, por unë them se nga pikëpamja e shqiptarëve kemi arsye ta mbështesim këtë plan, se kështu do ndodhë e kështu duket se po ndodh.

RADIO EVROPA E LIRË
Moska në nivelet më të larta ka bërë të ditur se nëse plani i Ahtisarit nuk është i pranueshëm për Beogradin, ajo do të vërë veton në Këshillin e Sigurimit. Mendoni se Rusia mund të bllokojë zgjidhjen e statusit të Kosvës?

REMZI LANI
Unë mendoj se Rusia mund ta vështirësojë dhe po e vështirëson proçesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, do vazhdojë ta vështirësoje e ta ndërlikojë edhe për njëfarë kohe, por nuk mendoj se do mund ta bllokojë atë. Unë e shoh këtë si një proçes të pakthyeshëm. Të jemi realistë, kthimi i Kosovës nën Serbinë është i paimagjinueshëm, e sa për mua them se edhe në Moskë e dinë këtë. Ajo ç'ka Rusia po bën është të nxjerrë përfitime maksimale, nga ai që Rusia e konsideron preçedenti Kosovë, pra kërkon të fitojë influencë në zona të tjera, kryesisht në hapësirën ish-sovjetike për interesat e saj. Këtu kam parasysh konfliktet e ngrira të Osetisë së Jugut, të Abkazisë, të Moldavisë e të Nagorni Karabakut. Rusia nuk është se përjashton pavarësinë e Kosovës, por ajo kërkon ta përdorë atë për interesa të saj. Rusia e ka përdorur pak veton në këto 15 vjet në Këshillin e Sigurimit e nëse do ta përdorte në rastin e Kosovës, ky do ishte një qëndrim padyshim ekstrem por që në fund të fundit nuk do mund ta bllokonte proçesin. Nëse Rusia bllokon mund të shkohet drejt asaj që quhet plani B, që do të thotë njohja e Kosovës të bëhet nga vende të ndryshme, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe e vende të tjera. Është e qartë që në këtë rast Rusia do mund ta vonojë që Kosova të ketë një vend në OKB, por në fund të fundit nuk do mund të pengojë ngritjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri serb Koshtunica ka bërë të ditur se Beogradi do të ndërpresë marrëdhëniet me ato shtete që e njohin pavarësinë e njëanshme të Kosovës. Si e shihni këtë qëndrim?

REMZI LANI
Qëndrimi i Koshtunicës tregon se iluzionet mbi të ashtuquajturat forca demokratike proevropiane në Serbi janë paksa të ekzagjeruara. Mendoj se Evropa dhe perëndimi në përgjithësi i kanë mbivlerësuar kapacitet e asaj që quhet Serbi demokratike, sepse kur vjen puna për çështje si kjo e Kosovës, Serbia e sidomos Koshtunica nuk ka dëshmuar kapacitete demokratike. Padyshim ky është një qëndrim ekstrem, sikurse dhe qëndrimi për të mos pritur z. Ahtisari. Sigurisht që ky është një qëndrim ekstrem që e vështirëson proçesin, e ndërlikon atë, por nuk mendoj se Koshtunica do mund të trembë ndokënd me kërcënimet për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Serbia dhe Koshtunica kontretisht po luajnë kartat e fundit, por këto duken karta të dëshpëruara.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është roli i Tiranës zyrtare në të gjithë proçesin e përcaktimit të statusit të Kosovës?

REMZI LANI
Shqipëria sigurisht është përpjekur të luajë një rol të caktuar, të ushtrojë një influencë të caktuar. Se sa e madhe është kjo influencë, kjo mund të diskutohet. Përgjithësisht ka konsensus në këtë çështje në Shqipëri. Politika e Jashtme është munduar pa u keqkuptuar të influencojë që kosovarët të dëgjohen, këtu kam parasysh insisitimet e diplomacisë sonë që udhëheqësit kosovarë të kenë kontakte me Moskën me Pekinin që ishin qendrat problematike të fuqive të mëdha që lidhen me përcaktimin e statusit, apo me vendet e tjera të Evropës. Shqipëria sigurisht ka artikuluar qëndrimin e saj që pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për vetë Serbinë dhe për të gjithë rajonin. Unë mendoj se nëse do shihet nga prizmi historik, pra nga një distancë e caktuar, Tirana e ka luajtur rolin e vet.

Intervistoi: Klodi MESHI
XS
SM
MD
LG