Ndërlidhjet

NË RRUGËN DREJT PAVARËSISË


ECONOMIST

Tetë vjet që kur aeroplanët e NATO-s e bombarduan Serbinë e Sllobodan Millosheviqit, Kosova ka qenë në një gjendje pezull. Rreth 90 % e shqiptarëve janë pothuaj të gjithë të përcaktuar për pavarësimin nga Serbia, por për shumicën në Serbi, largimi i Kosovës mbetet një anatemë.
Nisur nga tmerret që e shoqëruan shpërbërjen e ish Jugosllavisë në vitet e 1990-ta, janë të kuptueshme shqetësimet e të huajve për paqen. Një shenjë për rrezikun e mundshëm është rezultati i zgjedhjeve të fundit në Serbi, ku fituan radikalët, të cilët insistojnë që Kosova të mbetet pjesë integrale e Serbisë.
Por kosovarët po e humbin durimin, dhe statusi i tyre nuk mund të mbetet pezull përgjithmonë. Javën e kaluar kryenegociatori Martti Ahtisaari ua paraqiti propozimin e tij vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, ndërsa sot të njëjtën e bën në Beograd dhe Prishtinë. Është kjo një formë e pavarësisë së mbikqyrur, e ngjashme me statusin që iu dha Bosnjë-Hercegovinës në vitin 1995. Pushteti më i lartë në Kosovë do t'i bartet një përfaqësuesi special nga "bashkësia ndërkombëtare", ndërsa Kosova do të mund t'u bashkangjitet organizatave ndërkombëtare.
Kjo është më pak se pavarësia e plotë, por edhe kaq sa është, për Serbinë është tepër. Ndonëse e zbut goditjen duke u dhënë më shumë të drejta zonave serbe në Kosovë, si dhe më shumë mbrojtje objekteve fetare serbe, propozimi megjithate ofron platformë që Kosova të shpallë pavarësinë. Kjo nuk do të kënaqë asnjë politikan serb, dhe nuk do t'i përgjigjet as Rusisë, e cila ka thënë se do të bllokojë çdo marrëveshje në Këshillin e Sigurimit që nuk do të miratohej nga Serbia. Megjithate, me një diplomaci të drejtë, plani mund të ketë sukses.
Një arsye për optimizëm është se pozicioni i Partisë Radikale në Serbi është më i dobët se'ç duket. Radikalët me gjasë nuk do të marrin pjesë në qeveri, e cila pritet të formohet nga partitë më proevropiane. Pritet që ato ta kuptojnë përcaktimin e Bashkimit Evropian për ta zgjidhur çështjen e Kosovës duke mbështetur një lloj të pavarësisë. Gjasat që i ofrohen Beogradit për t'iu bashkangjitur Bashkimit Evropian janë një lloj kompenzimi për humbjen eventuale të Kosovës.
Rusët mund të jenë pak më vështirë që të binden. Ata pohojnë se nëse Kosova fiton pavarësinë, atëherë e njëjta duhet të vlejë për Osetinë Jugore dhe enklavat tjera pro-ruse në Kaukaz. Rusia gjithashtu mund të përdorë veto ndaj çdo rezolute të Kombeve të Bashkuara, e cila Kosovën do ta drejtonte në rrugën e pavarësisë.
Në atë rast, Kosova do të duhet të shkojë përpara pa Këshillin e Sigurimit. Le ta njohin Kosovën e pavarur Amerika dhe vendet evropiane, ndërsa Bashkimi Evropian le të bëjë çmos për t'i qetësuar serbët. Në Ballkan është derdhur tepër gjak për të lejuar që disa nacionalistë të vrazhdë në Beograd apo muskujt që i shfaq Moska, ta bllokojnë një proces, i cili çon drejt një ardhmërie stabile.


XS
SM
MD
LG