Ndërlidhjet

DITË KTHESE PËR QYTETARËT E KOSOVËS


Bekim Bislimi

Plani i presidentit Ahtisaari për Kosovën, që pritet të shpaloset sot në Prishtinë, nga qytetarët e saj është duke u pritur me optimizëm. Ata thonë se presin që ky plan do të përmbajë propozimet, të cilat Kosovës do t’i sigurojnë substancën esenciale që shtyn drejt realizimit të vullnetit të popullatës shumicë të Kosovës. E kjo është Kosova si subjekt shtetëror i pavarur.
Nexhat Veseli, thotë se sot është një ditë e madhe për Kosovën. “Mendoj që kjo është një ditë shumë e madhe për Kosovën. Ky është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës dhe drejt realizimit të aspiratave shumëshekullore të Kosovës. Shqiptarët kanë kontribuar shumë. Besoj që kontributi i tyre është përmbledhur në këtë vit dhe besoj se ky është viti përfundimtar dhe viti i pavarësisë së Kosovës”, tha Veseli.
Islam Rozhaja, thotë se dita e sotme e cila shënohet me shpalosjen e planit të Ahtisaarit për Kosovën para kosovarëve, paraqet një kthesë për historinë e re të Kosovës. “Unë besoj që kjo paraqet kthesë. Jam optimist dhe duhet të jetë mirë. Brenda planit, Serbia nuk ka vend më këtu. Atë duhet ta ketë të qartë edhe Serbia, edhe bota edhe të gjithë. Nëse nuk ka vend, atëherë ne duhet të jemi optimistë. Njëherë e përgjithmonë të shkëputemi prej Serbisë e pastaj të shohim të tjerat që vijnë. Askush nuk ka asgjë kundër serbëve brenda Kosovës. Normalisht, ne do të jetojmë prapë edhe me ata jashtë Kosovës, me serbët e Serbisë. Do të bashkëpunojmë, jemi fqinjë, por secili në shtëpinë e vet”, theksoi Rozhaja.
Ngjashëm pohon edhe Lulzim Gashi, i cili shpreh mendimin se do të ishte iluzion po të mendohej se presidenti Ahtisaari do ta sillte përfundimisht pavarësinë për Kosovën, por sipas tij, plani që pritet të shpalosë ai, është rrugë e trasuar mirë mbi të cilën duhet të ecin kosovarët. “Kjo do të jetë kthesa më kryesore në historinë e kësaj toke dhe krejt shqiptarëve, kudo që jetojnë. Ahtisaari, për mendimin tim, ka bërë përgatitjen në mënyrën më të mirë për funksionimin e shtetit të ri të Kosovës dhe do të ishte iluzion dhe dobësi politike për të gjithë ata që mendojnë se Ahtisaari do ta sjellë pavarësinë. Pavarësia krijohet vetvetiu nga ne, ndërkaq ai ka krijuar strukturat më të mira, ka përgatitur terrenin dhe për këtë i falenderohemi deri në maksimum. Sepse, më në fund, do të krijohet shteti i Kosovës, për të cilin më shumë ka shqiptarë të vrarë se sa të gjallë”, u shpreh Gashi.
Ndërkaq, Fatmir Podrimaj, po ashtu pohon se dita e sotme është e rëndësishme për Kosovën pavarësisht se siç thotë ai, planin e Ahtisaarit e pret me një optimizëm të matur. “Mendoj se e ashtuquajtura pako e Ahtisaarit është një kornizë brenda së silës ne presim që të formojmë shtetin e Kosovës, të kemi një pavarësi, të cilën e kemi kërkuar që 100 vjet. Kam një dozë të optimizmit të matur dhe nuk pres ndonjë mrekulli kushedi se sa, mirëpo pres që ne të angazhohemi më tepër rreth krijimit të institucioneve serioze, të mirëfillta për ta vazhduar rrugën drejt një Kosove të zhvilluar ekonomikisht dhe natyrisht një Kosove të pavarur me të gjitha atributet e një shteti të mirëfilltë”, tha Podrimaj.

XS
SM
MD
LG