Ndërlidhjet

SHKURTI-MUAJ I KONSULTIMEVE PËR PAKON E AHTISAARIT


Albana Isufi

Ekipi i Unitetit, Kryesia e Kuvendit dhe Qeveria janë pajtuar që muaji shkurt të jetë muaj konsultimesh rreth pakos për statusin që emisari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari dorëzoi sot në Prishtinë. Pas një takimi të Ekipit të Unitetit me Kryesinë e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që dokumenti gjithëpërfshirës për statusin të debatohet në Kuvend.
Presidenti Sejdiu ka thënë se pasi që procesi të arrijë në nivelet vendimmarrëse si në Këshillin e Sigurimit, Kuvendi i Kosovës ka të drejtën e tij të shpallë edhe formalisht pavarësinë e Kosovës. Por, deri në hartimin e dokumentit përfundimtar, sipas presidentit Sejdiu, nuk përjashtohen bisedimet mes palës kosovare dhe asaj serbe. Ftesën për këto bisedime, pala kosovare e ka marrë sot nga zoti Ahtisaari. “Do të startohet më datën 13 shkurt, do të ketë një dinamikë të disa takimeve, flas në pjesën e ekipeve profesionale. Ideja është që mund të ketë edhe një ballafaqim të përfaqësuesve të vendeve, por të shohim. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë që të japim kontributin maksimal”, tha Sejdiu.
Takimi i fundit për vërejtjet përfundimtare rreth dokumentit do të jetë më 2 mars. Kryeministri Agim Çeku ka thënë se të vetmet konsultime që do të mbahen do jenë ato me UNOSEK-un. ”Këtë propozim e ka sjellë zoti Ahtisaari apo UNOSEK-u dhe ne vërejtjet do t’ia japim atij dhe s’kemi cka bisedojmë me palë tjetër. Ai është i thirrur që propozimin final t’ia dërgojë Këshillit të Sigurimit, kështu që ne do të bisedojmë me të dhe vetëm me të”, tha kryeministri Çeku pasi që njoftoi ministrat e kabinetit të tij me dokumentin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Qeveria e Kosovës përmes një deklarate të përbashkët e ka mirëpritur dokumentin, duke thënë se në javët në vazhdim do jepen komentet dhe sugjerimet e vlefshme, në mënyrë që dokumenti final të reflektojë në tërësi vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, kryeministri Agim Çeku ka shprehur rezervat e tij në lidhje me sektorin e sigurisë. “Ne kemi të drejtë si shoqëri që të vendosim vetë për modalitetet e rregullimit të brendshëm të Kosovës. Ky dokument në shumë fusha nuk është i tillë, por është dokument inicial, jo rezolut, dhe në këtë rast ka hapësirë dhe ka nevojë që të jetë më i favorshëm, të përmirësohet dhe të reflektojë në tërësi vullnetin e popullit tonë”, tha Çeku.
Krerët e institucioneve kanë kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të kenë besim te ta dhe të ruajnë stabilitetin e Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu u kërkoi qytetarëve që të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë proces. “Është me rëndësi se kjo pjesë çmohet dhe është kontribut i drejtpërdrejtë në përshpejtimin e procesit dhe i dëshmimit se ne jemi shoqëri e organizuar, e disciplinuar dhe dimë ta realizojmë qëllimin tonë, një vizion që kemi për realizimin e pavarësisë së Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.
Ndërsa, duke komentuar protestat e paralajmëruara kundër pakos së Ahtisaarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Agim Çeku kërkoi nga qytetarët qe t’i besojnë procesit dhe ta ruajnë qetësinë dhe sigurinë. ”Ne jemi një shoqëri demokratike, e drejta e shprehjes është e lirë, e garantuar, e drejta e protestës paqësore është e drejtë legjitime, por ajo që unë mendoj, se nëse ata e shohin të arsyeshme të organizojnë protesta, nuk ka arsye që protestat të jenë të dhunshme dhe nuk ka cak ndaj kujt të orientohet dhuna”, tha kryeministri Çeku.
Pikërisht për shkak të këtyre protestave, Zyra Amerikane në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë, që të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm në javët në vazhdim për shkak të, siç është thënë, ngjarjeve të rëndësishme politike dhe protestave të 10 shkurtit. Në një njoftim të plasuar në internet, kjo zyrë përkujton qytetarët amerikanë se edhe pse protestat në Prishtinë, Ferizaj e Mitrovicë është thënë se do jenë paqësore, ato mund të kthehen në konfrontime dhe mund të eskalojnë në dhunë. “Prandaj, u kërkohet qytetarëve amerikanë që të rrinë larg këtyre manifestimeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës Amerikane.



XS
SM
MD
LG