Ndërlidhjet

SHQIPTARËT DHE SERBËT ME QËNDRIME TË NDRYSHME


Rrahman Paçarizi

Përfaqësues të institucioneve dhe të opozitës në Kosovë, vlerësojnë se plani i Ahtisaarit e fut Kosovën në fazën përmbyllëse të zgjidhjes së statusit që çon kah pavarësia, ndërkohë që serbët e Kosovës e konsiderojnë atë një plan të keq dhe të njëanshëm. Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Arben Qirezi, tha se plani i kryenegociatorit Ahtisaari është rezultat i bisedimeve gati njëvjeçare dhe i realitetit të krijuar në Kosovë që nga qershori i vitit 1999. “Sa i përket përmbylljes së kësaj periudhe paraprake dhe hapjes së një kaptine të re për Kosovën, dokumenti i Ahtisaarit qartë paraqet një vizion për shtetin e pavarur të Kosovës, pra në bazë të parametrave që janë diskutuar gjatë vitit të kaluar, por edhe në bazë të rrethanave dhe zhvillimeve që kanë ekzistuar në Kosovë në këto shtatë vitet e fundit”, theksoi Qirezi.
Edhe zyrtari i lartë i Partisë Reformiste Ora në opozitë, Ylber Hysa, mendon se plani është hap drejt realizimit të synimit të kosovarëve për pavarësi, por në të ka çështje që duhen shikuar me kujdes. “Plani është një kompromis, është gjithsesi një element që hap rrugë drejt realizimit të synimit të kosovarëve, por ka edhe aspektet që duhen vështruar me kujdes, sidomos ato pjesë të cilat duhet që, jo vetëm gjatë implementimit, por në aspekt më afatgjatë të mos e dëmtojnë funksionalitetin e një shteti të ardhshëm kosovar”, tha Hysa.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës vlerësojnë se plani i Ahtisaarit është i keq dhe i njëanshëm, pasi e prek sovranitetin e Serbisë dhe nuk çon kah zgjidhja e kompromisit.
Kryetari i Këshillit Nacional Serb për Mitrovicën, Nebojsha Joviq, thotë se për serbët pavarësia është e papranueshme, prandaj Beogradi duhet të niset në raund të ri bisedimesh dhe të jetë shumë më aktiv. “Në veri të Kosovës nuk do të mund të implementohet kurrfarë lloji i pavarësisë, e sidomos pjesa ku thuhet se Mitrovica e jugut dhe ajo e veriut do të jenë komuna më vete, por që do të kenë një trup të përbashkët drejtues”, tha Joviq, duke shprehur megjithatë, gatishmërinë për të biseduar për këtë.
Ndërkaq, sipas Arben Qirezit, pala kosovare do të vazhdojë bashkëpunimin konstruktiv në fazën përfundimtare të bisedimeve, siç u shpreh ai, deri në shpalljen e pavarësisë. “Pala kosovare do të bashkëpunojë me zotin Ahtisaari, përkatësisht do të marrë pjesë në konsultimet që do të bëhen në kornizën e aktiviteteve të zotit Ahtisaari. Kjo është në interes të Kosovës dhe institucionet dhe Ekipi i Unitetit do të punojnë në interes të popullit të Kosovës, dhe ai interes është pavarësimi i Kosovës”, u shpreh Qirezi.
Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në pjesët e tjera të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkak të mundësisë, që në vazhdim të bisedimeve të propozohet ndarja e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Rangjel Nojkiq, mendon që edhe pse ndarja është përjashtuar si mundësi, kjo nuk do të thotë se nuk do të diskutohet ajo ide. “Kam frikë që ndoshta një pjesë e delegacionit të Beogradit dhe një pjesë e opinionit serb do të plasojnë idenë e ndarjes së Kosovës dhe kjo do të ishte e tmerrshme për shumicën e serbëve të Kosovës”, tha Nojkiq.
Ajo që më së shumti i brengos përfaqësuesit e serbëve të Kosovës është reagimi i bashkësisë serbe, pasi, sipas zotit Joviq, njerëzit do të ishte mirë të çliroheshin nga frika dhe paniku dhe tha se ata do të bëjnë gjithçka çka është e mundur për t’ua shpjeguar njerëzve se ky nuk është një plan përfundimtar dhe se kreu shtetëror në Serbi do të bëjë gjithçka për ta ndryshuar atë dhe për të siguruar një zgjidhje kompromisi.
Në anën tjetër, përfaqësuesit shqiptarë pajtohen se ka ende çështje brenda dokumentit për të cilat duhet të diskutohet. Sipas zotit Hysa, bisedimet duhet të orientohen në aspekte të decentralizimit. “Këtu, para së gjithash, duhet biseduar për disa aspekte të decentralizimit dhe të funksionimit të këtyre komunave të reja në raportet ndërmjet lidhjeve vertikale”, theksoi Ylbera Hysa. Ai tha se kjo, para së gjithash, ka të bëjë me sigurimin e funksionimit më të mirë të Kosovës në gjithë territorin e saj në një plan afatgjatë.


XS
SM
MD
LG