Ndërlidhjet

ANALISTËT:“PAKOJA E AHTISAARIT-DOKUMENT I NJË SHTETI NË NDËRTIM”


Albana Isufi

Analistët politikë kosovarë kanë interpretuar në mënyra të ndryshme pakon e Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Analisti Shkëlzen Maliqi vlerëson se është për t’u përshëndetur se pakoja nuk përmban ndonjë formulim që do pengonte ndërtimin e shtetit të Kosovës. “Kur përmendej fjala kompromis nga diplomatët amerikanë, kishim frikë se mos do të ketë kushtëzime apo formulime të tilla, që vërtet do ta pengonin pavarësimin e Kosovës. Ky dokument është i një shteti në ndërtim, vetëm që duhet të kemi pak durim që ta bëjmë edhe këtë në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, para së gjithash me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Maliqi.
Mirëpo, analisti tjetër Ilir Dugolli, thotë se është dëshpëruese që pakoja e Martti Ahtisaarit nuk sqaron në mënyrë të saktë statusin përfundimtar të Kosovës. “Minimumi i asaj çka është pritur nga pakoja, ka qenë qartësia mbi statusin lidhur me pavarësinë. Kjo për fat të keq, është sjellë në mënyrë shumë të tërthortë dhe ky është dëshpërimi më i madh për shumicën e qytetarëve, që nuk është shprehimisht rekomandimi lidhur me statusin e ardhshëm, edhe pse bashkësia ndërkombëtare po vazhdon ende t’i ikë dhe t’i qëndrojë besnike këtij ambiguiteti që mund të interpretohet ndryshe nga secila palë”, tha Dugolli. Ai thotë se do të ishte në rregull që këtë ambiguitet, zoti Ahtisaari ta ketë lënë me qëllim që pakoja të kalojë më lehtë në Këshillin e Sigurimit, që do pasonte më pas me njohjen e drejtëpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës. Por, Dugolli u druan diskutimeve që mund të pasojnë nga paqartësia e dokumentit. “Mirëpo, kjo pako tani hyn në diskutime tjera, hapet në detaje tjera, atëherë gjasat që të përmirësohet në favorin tonë, janë shumë të vogla dhe si pasojë e asaj hapjeje çfarë do pasonte?! Është vetëm përkeqësimi i saj, cilësia e saj vetëm do të jetë më e keqe në mënyrë që të jetë e pranueshme për shtetet kryesore dhe për ato që tani për tani nuk është e pranueshme. Plus asaj elementi kohë, sa më shumë që zvarriten gjërat shkon në dëmin tonë”, tha Dugolli.
Negociatorët kosovarë kanë thënë dje se periudha nga 13 shkurti deri më 2 mars, është kohë e konsultimeve dhe e ndryshimeve eventuale të pakos, gjegjësisht pikave për të cilat ka vërejtje pala kosovare. Analisti Shkëlzen Maliqi mendon se ndryshimet mund të jenë vetëm teknike. ”Sa e pashë unë, mund të jenë ndryshime teknike, stilistike, ndonjë element i vogël mund të ndryshojë, por nuk shoh vend për ndonjë ndryshim më radikal. Por, shumë varet edhe nga qëndrimi i Serbisë, nëse do të marrin pjesë në mbledhjen që është caktuar më 13 shkurt”, tha Maliqi. Ai thotë se meqë Serbia nuk e ka pranuar pakon, mund të ketë bojkotim sikurse në kohën e Millosheviqit.
Në anën tjetër, Ilir Dugolli dyshon se palët mund të ndikojnë në ndryshimin e përmbajtjes së dokumentit të hartuar nga zoti Ahtisaari. “Gjasat për ndryshime nga ana e palëve pothuajse janë të paqena. Palët, Kosova dhe Serbia mund të bëjnë ndonjë koment, por nuk mendoj se do merren parasysh vërejtjet e tyre, por gjasat për ndryshime brenda Grupit të Kontaktit nuk përjashtohen dhe ato ekzistojnë”, thotë Dugolli.
Sidoqoftë, analisti Shkëlzen Maliqi është optimist se nuk do ketë zvarritje të mëdha të zgjidhjes së statusit përfundimtar. ”Vetëm një gjë është që mund ta zvarrisë edhe pak, është qëndrimi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit, por edhe për atë ekziston varianti i dytë, që atje të propozohet një rezolutë më e butë, ku përsëri nuk përmendet pavarësia, por as që Kosova është pjesë e Serbisë. Do të thotë, në këtë rast u lejohet shteteve individuale që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu i lejohet Kuvendit të Kosovës që ta shpallë pavarësinë. Ky është skenari i dytë alternativ”, tha Maliqi.
Dokumenti gjithëpërfshirës i zotit Ahtisaari parasheh që Kosova të hartojë Kushtetutën e vet, të ketë simbolet shtetërore, himnin e flamurin, si dhe të ketë forcën e vet të sigurisë. Marrëveshja parasheh anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërkaq përmban edhe dispozita të veçanta për mbrojtjen e komuniteteve joshqiptare nëpërmjet rrugëve institucionale dhe krijimin e komunave të banuara me shumicë serbe.



XS
SM
MD
LG