Ndërlidhjet

ALEX ANDERSON: PROPOZIMI I MUNDËSON KOSOVËS QË TA FITOJ PAVARËSINË


Kuvendi Kosovës "duhet ta shpallë pavarësinë, në mënyrë që ajo pavarësi të njihet dhe është pjesë e domosdoshme e procesit. Por, duhet të ndodhë vetëm pasi që rezoluta e re e Kombeve të Bashkuara ta ketë shtruar rrugën për këtë", thotë, pos tjerash, Alex Anderson, shef i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, propozimi i Ahtisarit per statusin final të Kosovës është refuzuar nga Beogradi, ndërsa Prishtina e ka mirëpritur atë duke thënë se propozimi i hap rrugë pavarësisë. Po, si e sheh Grupi Ndërkombëtar i Krizave pakon?

ALEX ANDERSON
Mendoj se edhe intepretimet e Prishtinës e edhe ato të Beogradit janë korrekte. Nëse studioni detajet e pakos ajo në të vërtetë thekson strukturat dhe mekanizmat me të cilat Kosova mund të formojë një shtet të ri dhe te fitojë pavarësinë. Në të vërtetë nuk përmendet fjala pavarësi, por Ahtisari e ka kuptuar se fakti thelbësor për të çuar Kosoven kah pavarësia është shfuqizimi i Rezolutës 12 44, përmes se ciles OKB administron në Kosovë. Dhe vëtëm pas kësaj mund të deklarohet pavarësia dhe shtetet ta njohin atë. Dhe këto do jenë faktet, që do krijojnë një shtet të pavarur. Por, përvec kësaj, Ahtisari ka qenë shumë i qartë kur tha se do të japë rekomandime te qarta për statusin në Këshillin e Sigurimit kur ta dorëzojë pakon në muajin mars. Edhe pse ai nuk e tha këtu, është shumë e qartë se rekomandimi do të jetë se Kosova duhet të bëhet shtet i pavarur dhe kjo është e vetmja mënyre logjike që rrjedh nga pakoja që ai e prezantoi këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendet ju, por edhe analistë të tjerë kanë thënë se duke mos e përmendur fjalën pavarësi në pako, z. Ahtisari ka dëshiruar të lehtësojë miratimin e një rezolute te re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. A e ndihmon, apo e komplikon situatën ky ambiguitet?

ALEX ANDERSON
Do të mund të ndihmonte për të kaluar në Këshillin e Sigurimit, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se e ndihmon situatën në terren, në Kosovë. Mendoj se duhet një qartësim i madh per te gjitha vendet dhe kryeqytetet, që siç edhe mund te kenë pritur - e ardhmja e Kosovës do të jetë pavarësia brenda kufijve të saj. Tani, pasi që Ahtisari e bëri të qartë se në mars do të rekomandojë statusin, është e imagjinueshme se mund të ketë tentime për të përdorur këtë ambiguitet, pasi pakoja në mënyrë eksplicite nuk përmend fjalën pavarësi. Pra, të përdoret ky ambiguitet në Këshillin e Sigurimit, madje edhe kur Këshilli i Sigurimit të votojë për një rezolutë te re për të zëvendësuar 12 44-shin. Kjo në disa mendje te diplomatëve mund të siguronte një ambiguitet te përsosur që do të bënte që Rusia të nënshkruante krahas SHBA-ve, Britanisë se Madhe apo vendeve tjera perëndimore. Pakoja nuk do ta ketë emrin e statusit, para se të shkojë në Këshillin e Sigurimit, por përmbajtja ndoshta do të lejojë Rusinë të votojë për këtë, ose të paktën të abstenojë, por jo ta pengojë kalimin e saj në Këshillin e Sigurimit, përderisa ajo rezervon të drejtën e saj ndoshta për të refuzuar njohjen e Kosovës apo për të mos iu bashkuar njohjes së menjëhershme të Kosovës pasi që rezoluta të ketë kaluar në Këshillin e Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Negociatorët kosovarë besojnë se mund të ndryshojnë disa pika të dokumentit, gjatë periudhës konsultative. A mendoni se dokumeni është i ndryshueshëm?

ALEX ANDERSON
Në të vërtetë mendoj se kjo do të jetë e vështirë. Mendoj se edhe Beogradi do të dëshironte të ndryshojë shumëçka në dokument gjatë periudhës konsultative, nëse ai është i gatshëm që të përfshihet gjatë kësaj periudhe. Mendoj se realisht ekipi kosovar mund të shpikë pozicione të reja me qëllim që të përmirësojë dokumentin. Por, ata duhet të mendojnë në mënyrë taktike çka duhet te bëjnë në mënyrë që dokumenti të mos dobësohet sepse realisht mendoj se i vetmi drejtim që dokumenti mund ta marrë, është që të dobësohet nga gjendja e tashme. Kështu që mendoj se Prishtina duhet të jetë në gatishmëri që ta mbrojë atë kundër një dobësimi të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbet e Kosovës kanë kërcënuar se në rast të pavarësisë së Kosovës, ata do të shpallin pavarësinë e territoreve të Kosovës të banuara me serbë. Si i komentoni ju këto kërcënime?

ALEX ANDERSON
Kjo do të jete sfida më e madhe e muajve të ardhshëm, posaçërisht rreth asaj se si do të sillet lidershipi serb në veri të Kosovës, Këshilli Nacional Serb, liderët si Marko Jakshiq e Milan Ivanoviq. Mendoj se është një shqetësim i serbëve në Kosovën qendrore, se veriu mund të mos i marrë parasysh interesat e serbëve në Gracanicë, Shterpce, në enklavat në lindje dhe vendet tjera që janë në jug të Ibrit. E ardhmja e veriut, në të vërtetë do të jetë një nga sfidat më të mëdha që lidhet me të ardhmen e Kosovës. Veriu nuk do të integrohet shpejt në strukturat e qeverisë qendrore, apo nuk do ta bëjë lehtë këtë, madje edhe vihet në pikëpyetje nëse do të integrohet ndonjëherë. Prandaj duhen përpjekje të pandërprera në veriun e Kosovës gjatë dhe pas periudhës së zgjidhjes së statusit. Mendoj se kjo kërkon një vemendje te vazhdueshme edhe nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe nga ndonjë politikë e mencur e Prishtinës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, në raportin e fundit për Kosovën GNK pat tërhequr verejtjen se procesi i statusit mund të shtyhet deri në gjysmën e dytë te 2007-ës. Besoni ende një gjë të tillë?

ALEX ANDERSON
Po, në të vërtetë besoj. Por, mendoj se tashmë janë krijuar rrethana me relakusese. Mendoj se me njoftimin e së premtes të Ahtisarit, këtu në mesin e shumicës shqiptare në Kosovë është kuptuar se pavarësia po vjen dhe se do të përforcohet më shumë me rekomandimin e Ahtisarit për statusin para Këshillit të Sigurimit. Pra, në njëfarë mënyre kemi një ndryshim të dinamikës në mesin e shumicës shqiptare dhe kjo do te theksohet ne javët e ardhshme, kur të ketë një siguri të madhe per fundin e zgjidhjes, dhe vëmendja do të fokusohet në cështjet praktike. Dhe ajo që institucionet e Kosovës duhet të bëjnë është që të përgatisin veteveten. Por, nëse shikojmë përvojën e tyre në muajt e kaluar gjithmonë po duhet më shumë kohë se ç’pritet për të funksionuar gjërat.

RADIO EVROPA E LIRË
Pasi po përmendni institucionet, ka zëra që thonë se Kuvendi i Kosovës duhet ta shpallë pavarësinë e Kosovës. Kur mendoni se është koha e duhur për ta bërë këtë?

ALEX ANDERSON
Koha e duhur është pasi që Këshilli i Sigurimit ta miratojë një rezolutë të re, që do ta shfuqizonte rezolutën 12 44. Nuk mund të shpallni pavarësinë dhe të prisni që ajo të njihet, përderisa Kombet e Bashkuara kanë mandat qeverisjeje mbi Kosovën. Po, mbase një deklarim i pavarësisë nga Kuvendi do duhej bërë pas pranimit apo miratimit të pakos së Ahtisarit dhe pasi që pakoja të ketë kaluar nëpër proceset e Kombeve te Bashkuara në muajt e ardhshëm. Por, kjo duhet bërë në bashkëpunim shumë të ngushtë me mbështetësit dhe aleatët e Kosovës në kryeqytetet perëndimore. Pra, është e domosdoshme. Duhet shpallë pavarësia, në mënyrë që ajo pavarësi të njihet dhe është pjesë e domosdoshme e procesit. Por, duhet të ndodhë vetëm pasi që rezoluta e Kombeve të Bashkuara ta ketë shtruar rrugën për këtë.
Intervistoi: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG