Ndërlidhjet

logo-print

WISNER:”SHBA-TË MBËSHTESIN FUQISHËM PAKON PËR STATUSIN”


Zijadin Gashi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin propozimin e presidentit Ahtisaari për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ka deklaruar sot në Prishtinë i dërguari amerikan për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner. Ai i ka siguruar kosovarët se pavarësisht faktit që pakoja e Ahtisaarit tani nuk e përmban në substancë se cili do të jetë statusi i Kosovës, ky propozim, sipas tij, nuk do t’i zhgënjejë ata në momentin kur do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit. Këto komente, ambasadori Wisner i ka bërë pas takimeve që zhvilloi me presidentin dhe Ekipin Negociues të Kosovës. Wisner tha se propozimi i Ahtisaarit është në dobi të të gjithëve në Kosovë dhe premtoi mbështetjen amerikane deri në finalizimin e tërë procesit të statusit.
“Presidenti Ahtisaari ka dorëzuar propozimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se ky është një propozim i shkëlqyeshëm dhe meriton përkrahje të plotë”, tha Wisner, duke vlerësuar se propozimi i Ahtisaarit premton një të ardhme të re për Kosovën dhe popullin e saj. Ambasadori amerikan tha po ashtu se kosovarët nuk do të zhgënjehen aspak me propozimin final të Ahtisaarit, në momentin kur ai do t’ia drejtojë atë Këshillit të Sigurimit. Ai e ka siguruar presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, se propozimet eventuale të Prishtinës lidhur me pakon e Ahtisaarit, do të merren parasysh në fazën e konsultimeve shtesë që do të zhvillohen më 13 shkurt në Vjenë. “Propozimi meriton një studim të kujdesshëm, kurse Shtetet e Bashkuara do të jenë këtu me ju, që t’ju asistojnë në diskutimin lidhur me këtë propozim dhe do të punojnë me ju”, tha Wisner, duke iu drejtuar presidentit Sejdiu. Ai e ftoi ekipin e Prishtinës që të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë më 13 shkurt në Vjenë, ku është ftuar edhe pala nga Beogradi. Ky takim, sipas tij, do të zhvillohet pavarësisht nëse atje do të jetë pala serbe nga Beogradi apo jo. “Ahtisaari i ka ftuar të gjitha palët që të vijnë në tavolinën e bisedimeve. Nëse dikush nuk merr pjesë, është çështje e tyre, por Ahtisaari do të jetë aty dhe do të mbajë takimin”, tha Wisner. Ndërsa, duke u ndërlidhur në çështjet vendimtare në politikën ndërkombëtare për finalizimin e statusit të Kosovës, ambasadori amerikan ka pohuar gjithashtu se nuk beson që Moska do të dalë kundër propozimit për statusin e Kosovës. Nga fundi i kësaj jave, ai tha se do të vizitojë Moskën për të biseduar me autoritetet ruse, në mënyrë që procesi, siç tha ai, i filluar së bashku me Grupin e Kontaktit të përmbyllet së bashku me përkrahjen për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Ndërkaq presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili foli në emër të Ekipit Negociues, tha se Prishtina e mirëpret mbështetjen e vazhdueshme amerikane për procesin e statusit dhe e siguroi atë se pala kosovare do të jetë e pranishme në angazhimet shtesë rreth pakos për statusin, sipas kalendarit të përcaktuar nga ana e presidentit Ahtisaari. “Ne i deklaruam ambasadorit Wisner që jemi të gatshëm të japim kontribut në këtë pjesë shtesë të procesit, me besim të plotë se shumë shpejt do të shkohet edhe në hapat e tjerë në nivel të vendimmarrjes, konkretisht në Këshillin e Sigurimit, dhe të hapim një kaptinë të re të zhvillimeve rreth të ardhmes së Kosovës”, tha Sejdiu.
Ambasadori Frank Wisner ka arritur dje në Prishtinë, ndërkaq sot, pas takimeve që zhvilloi me autoritetet më të larta udhëheqëse kosovare lidhur me propozimin që Martti Ahtisaari ua dorëzoi palëve të premten e kaluar, pasdite ka vazhduar për në Beograd.

XS
SM
MD
LG